Shala: Gjykata Speciale nuk po u beson institucioneve që ish-krerët e UÇK-së të mbrohen në liri

Prishtinë | 04 Gus 2023 | 09:31 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Gjykata Speciale ndonëse e themeluar nga Kuvendi i Kosovës, nuk i përgjigjet këtij të fundit.

Ndonëse e quan masë të skajshme ai thotë se po të kishin mundësinë juridike e ligjore, avokatët e të akuzuarëve të kësaj do të mund t’i nxirrnin nga paraburgimi apo t’ua mundësonin të paktën një masë më të lehtë.

Njëra prej arsyeve pse kjo masë s’është zëvendësuar është sepse sipas tij, Gjykata në fjalë nuk i beson Policisë së Kosovës për të administruar procesin e arrestimit shtëpiak si masë.

“Gjykata Speciale është një gjykatë tjetër e cila nuk i përgjigjet sistemit tonë, ndonëse publikisht gjithmonë deklarohen se janë pjesë e drejtësisë së Kosovës, nuk kanë lidhje me të. As nuk i japin llogari Kosovës, as Kuvendit si themelues, as ministrisë, as askujt. Tash ata e kanë një bazë joligjore që i mbajnë në paraburgim. Sepse të gjithë ata që janë në paraburgim ndaj disave prej të cilëve ka filluar gjykimi, kanë avokatë të zotë të cilët po ta kishin një hapësirë ligjore do të mund t’i nxirrnin nga paraburgimi ose tua zëvendësonin masën e paraburgimit me një masë më të lehtë”.

“Është një kërkesë prej organizatave ndërkombëtare por edhe prej nesh që paraburgimi të jetë një mjet i skajshëm. Kur nuk ka asnjë mundësi tjetër të vendoset paraburgimi dhe zakonisht te paraburgimi të përdoren masat alternative sic janë arresti shtëpiak, lajmërimi në Polici, kufizimi i lëvizjes jashtë vendit ku jetojnë, mirëpo ky është rast i cili është larg Kosovës dhe ata mendohet që nuk kanë kapacitete ta mbikqyrin arrestin shtëpiak sikurse nuk i besojnë Policisë së Kosovës që këta munden ta administrojnë arrestin shtëpiak nëqoftëse ata vendosin që dikë prej tyre tua vendosin arrestin shtëpiak”, u shpreh ai.

Shala poashtu u shpreh se e sheh si tendëncë të akuzuarit të dënohen, e madje që të mbahen sa më gjatë në burg.

Këtë ai e mbështeti duke thënë se ekziston mosgatishmëri e institucioneve që të japin një garancion të mjaftueshëm e të fuqishëm.

“Ka qenë më parë një kërkesë në të cilën për të dhënë garancione disa shtete e edhe Kosova që nëqoftëse ata kthehen në Kosovë me një masë më të butë, e jo me arrest me burg atëherë Kosova, policia e Kosovës do ta administrojë masën e zëvendësuar të arrestit me burg. Ata i kanë dërguar disa pyetje, Ministria e Drejtësisë është përgjigjur, por këta nuk kanë besuar që Kosova ka kapacitete për të administruar një masë tjetër dhe nuk duan që thjesht të flasin, por është një tendencë që këta njerëz të dënohen, të mbahen sa më shumë në burg”.

“Është edhe një mosgatishmëri e institucioneve kryesore në Kosovë, qoftë e Ministrisë së Drejtësisë, qoftë e Qeverisë së Kosovës që të japin një garancion të fuqishëm. Madje madje, disi e kam bindjen që këta në njëfarë mënyre edhe punojnë që ata të dënohen, që të mos lirohen nga burgu. Dhe e gjithë kjo i shkon në favor Gjykatës Speciale që tua vazhdojë paraburgimin”, u shpreh Shala.

Shala tha se është po shkilen të drejtat e njeriut me mbajtjen e tyre në paraburgim, duke shtuar se këtë nuk e kanë bërë as Tribunali ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë.

“Tribunali ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë ka qenë shumë më liberal në kuptimin e trajtimit të rrethanave qoftë në paraburgim, qoftë të dënuar, sepse i ka liruar më herët. Pra Gjykata Speciale është një gjykatë e cila në vend që ta bëjë një përparim në trajtimin e të privuarve nga liria. Në këtë kontekst mendojmë se ka shkelje të të drejtave të njeriut sepse sidomos kur të kryhen hetimet, e të fillojë procesi gjyqësor, atëherë nuk është e domosdoshme që të mbahen në arrest sepse ka përfunduar faza e hetimeve dhe nuk ka nevojë të mbahen. Por mosbesimi ndaj Kosovës, ndaj institucioneve të Kosovës, ndaj shërbimit korrektues të Kosovës, ndaj policisë së Kosovës, të cilin e ka shfaqur hapur Gjykata Speciale në Hagë është përcaktues që këta persona, në kundërshtim me të drejtat e njeriut të mbahen në arrest”, tha Shala për Ekonomia Online.

Të ngjashme