Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit të Ambasadorit të SHBA-së, Jeffrey Hovenier, duke thënë se miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është produkt i mundit e sakrificës të shumë brezave.
Sipas deputetit të PDK-së, kushdo që e cënon këtë miqësi të shenjtë, sipas tij shkel mbi këtë mund e gjak, dhe “tradhëton amanetin e të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës”.
“Miqësia me SHBA është produkt i djersës, mundit e sakrificës të shumë brezave, i gjakut të UÇK-së. Kushdo që e cënon këtë miqësi të shenjtë, shkel mbi këtë mund e gjak, dhe tradhëton amanetin e të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Shala.