Menaxheri i Federatës së Futbollit të Kosovës, Bajram Shala, ka thënë se ndeshja ndaj Izraelit me shumë gjasë mund të dështojë, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie së bashku me përzgjedhësin e kombëtares së Kosovës, Primoz Gliha, ka thënë se bazohet në situatën në Izrael.
“Nuk kemi marrë ende përgjigje zyrtare, duhet të jemi realistë, po e shohim se cila është situata në Izrael. E kemi parë vendimin e fundit të UEFA-s për shtyrjen e ndeshjes kundër Zvicrës, akoma mbesim në pritje të vendimit zyrtar, por sipas të gjitha gjasave do të jetë e vështirë e thënë, për të mos e thënë e pamundshme për t’u zhvilluar ndeshja Kosovë – Izrael brenda kësaj jave. Situata është thuajse e qartë, ndeshja nuk do të zhvillohet, por mbesim ende në pritje të një vendimi zyrtar”.
Kurse Kombëtarja e Izraelit në futboll ka anuluar rezervimin e hotelit në Prishtinë.
Ndeshja me Kosovën ishte planifikuar të zhvillohet te dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” . Megjithatë, UEFA në lidhje për ndeshjen që Izraeli do ta zhvillojë në Prishtinë ndaj Kosovës, nuk ka marrë vendim.
“UEFA do të presë edhe disa ditë për të vlerësuar nëse ndeshja kualifikuese evropiane 2024 mund të zhvillohet në datën 15/10 të planifikuar fillimisht ose kërkon shtyrje”, thuhet në njoftim.
“UEFA do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe do të qëndrojë në kontakt me të gjitha ekipet e përfshira përpara se të marrë vendime për datat e reja dhe për ndryshimet e mundshme në ndeshjet e tjera të ardhshme”.