Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka vlerësuar se publikimi i emrave dhe fotografive të personave të ndaluar në aksionin e fundit në Prizren përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, duke theksuar se ky veprim ka cenuar prezumimin e pafajësisë dhe ka nxitur linçim publik ndaj tyre, raporton Ekonomia Online.
Shala, ka deklaruar për EO se gjatë aksionit në Prizren ndaj 109 personave të dyshuar për manipulim votash Policia e Kosovës e ka menaxhuar situatën mirë, duke marr parasysh rrethanat e jashtëzakonshme të rastit.
Shala tha se KMDLNJ ka pranuar ankesa nga familjarët, të cilat sipas tij ndahen në dy drejtime, por se rasti i publikimit të identitetit të të ndaluarve është më shqetësuesi.
“Ne kemi pranuar disa ankesa nga familjarët, ankesat shkojnë në dy drejtime, një palë ankesa shkojnë për mos-trajtimin e duhur të atyre të ndaluarve dhe ka qenë një familjar i cili ka kërkuar që ne të reagojmë për faktin që janë bërë publik emrat dhe fotografitë e të ndaluarve pa filluar ende procesi dhe ne kemi vlerësuar që ky i dyti është shumë më i rëndë se i pari. Bërja publike e emrave të ndaluarve me listë, plus edhe fotografitë, kjo është shkelje e rëndë e ligjit edhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut për faktin që e shkel rëndë dhe paragjykon prezumimin e pafajësisë. Përderisa bëhen publike emrat dhe fotografitë në një farë mënyre e dirigjon njëfarë linçimi publik ndaj atyre të ndaluarve dhe ua bën një gjyq publik ende pa filluar hetimet dhe ende pa përfunduar hetimet”, tha ai.
Ai shtoi se rasti duhej të ishte objekt hetimi nga Inspektorati Policor i Kosovës për të sqaruar se si kanë rrjedhur informacionet drejt mediave.
“Këtu është dashur të orientohet hetimi eventual që do të duhej ta bënte Inspektorati Policor i Kosovës se si kanë rrjedhur ato informata dhe si është e mundur që brenda ditës kur ata janë ndaluar të dalin 109 emra me fotografi në disa portale, që kjo është skandal i llojit të vet dhe kjo është krejt e palejueshme”, tha ai.
Duke folur për pretendimet për keqtrajtim, Shala ka theksuar se qendrat e ndalimit janë përgjegjësi e Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa sipas tij kapacitetet ekzistuese nuk janë të mjaftueshme për një numër kaq të madh të ndaluarish.
“Në anën tjetër kur flitet për keqtrajtim ne si KMDLNJ e themi me përgjegjësi që personat që ndalohen, që dërgohen në qendra të ndalimit duhet ta keni parasysh që qendrat e ndalimit nuk janë përgjegjësi as e Ministrisë së Drejtësisë as e Shërbimit Korrektues por janë përgjegjësi e Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Aty nuk kanë kapacitet asnjë qendër në Kosovë me menaxhuar një numër aq të madh të të ndaluarve. Zakonisht qendrat e ndalimit janë nëpër stacione policore ku janë prej pesë deri në dhjetë vende, nuk ka më tepër dhe ndalimi i një numri aq të madh të 109 personave ka krijuar probleme të mëdha logjistike sepse aty kemi të bëjmë edhe me afate kohore, se ndalimi zgjat maksimumi 48 orë, ju brenda 48 orëve duhet t’i sistemoni ata 109 persona, duhet t’i dërgoni para gjykate. Ka qenë problem bukur i madh logjistik dhe ka qenë një problem me të cilin Kosova për herë të parë është ballafaquar me ndalimin e numrit aq të madh të personave”, tha ai.
Sipas Shalës, nuk ka pasur raste të keqtrajtimit fizik nga ana e policisë, ndërsa vështirësitë janë shkaktuar nga rrethanat logjistike.
“Jam i bindur që nuk ka raste që një polic apo një oficer në qendrat e paraburgimit sillet keq në aspektin e trajtimit apo keqtrajtimit fizik të një të ndaluari, atë e përjashtoj, nuk ka aso raste. Ndërkaq ajo pse janë vonuar në transport, pse kanë qenë ngushtë këto janë probleme të natyrës logjistike, është e pamundur t’i rahatoni 109 persona brenda një afati të shkurtër”, tha ai.
Ai foli edhe për një rast të veçantë të raportuar nga familjarët e që ka të bëjë me një femër të cilës ia kanë shtrënguar duart.
“Nuk e besoj që ka pasur ndonjë keqtrajtim të natyrës fizike, e përjashtoj çdo mundësi. E kemi një ankesë që një femre ia kanë shtrënguar prangat (në duar, gjatë ndalimit), ajo ndodh. Duhet ta kemi parasysh që ndërrimi i ambientit nga liria në jo liri shkakton procese edhe psikologjike, shkakton stres, kështu që kemi rast kur një e re thjesht e ka përjetuar një sulm ankthi, por ajo tek e fundit nuk është përgjegjësi e atyre që kanë ndaluar sepse ajo është ndalur me vendim të prokurorit”, tha ai.
Në përfundim, Shala theksoi se sipas KMDLNJ-së dëmi më i madh ndaj të ndaluarve është shkaktuar nga publikimi i identitetit të tyre, ndërsa menaxhimi i situatës nga policia, sipas tij, ka qenë i kënaqshëm në rrethana të jashtëzakonshme.
“Nuk duhet që tash policia të këqyret me lupën e zezë sepse realisht nuk ka pasur keqtrajtime. Keqtrajtimi më i madh edhe dëmi më i madh që është bërë edhe të ndaluarve edhe familjarëve është bërja publike e emrit të tyre, fotografia e tyre sepse është krijuar një ambient për linçimin e tyre. Ne e themi që në një situatë të jashtëzakonshme policia nuk ka mundur të veprojë në mënyrë më efikase dhe mendoj që në kuadër të kësaj situate ta quaj edhe kritike procesi është menaxhuar bukur mirë”, tha ai.
Në një aksion të gjerë të zhvilluar në Prizren, 109 komisionerë të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, më 23.01.2026, nën dyshimin për manipulim me vota të zgjedhjeve të mbajtura më 28.12.2025. Ndaj 23 prej tyre, 22 komisionerë dhe një vëzhgues, është kërkuar paraburgim nga Prokuroria e Prizrenit. Masa e paraburgimit është kërkuar për pesë të LVV-së, pesë të AAK-së, tetë të PDK-së, katër të LDK-së dhe një të KDTP-së.
