Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka publikuar një fotografi me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Me Hashimin dhe Kadriun, si edhe me Rexhën, na bashkon një jetë angazhim dhe luftë për një ideal të përbashkët – lirinë e Kosovës. Jakup Krasniqi nuk ishte vetëm bashkëluftëtar, por edhe mësuesi im, nga i cili mora edhe dije e mësime, por edhe frymëzime atdhedashurie. Sot bëhen katër vite që të katërtit nuk janë në Kosovë. Angazhimi i tyre për të drejtën e popullit të Kosovës për liri sot ka marrë trajtën e mbrojtjes së kësaj të drejte. Sa më shumë kalon koha, mungesa e tyre bëhet më e dukshme, madhështia tyre më evidente dhe lufta e tyre më sublime”, ka thënë Shala.
Në katër vjetorin e nisjes së këtij procesi në Hagë, ai ka shkruar se që të katërt ishin sypatrembur, e pranuan pa mëdyshje përballjen me drejtësinë, të bindur në pastërtinë e luftës së popullit tonë për liri.
“E, me besim në drejtësi, faqebardhë do të kthehen në fund”, shkruan në fund të postimit Shala./EO/