Shala: Qeveria ka plane të errëta për Trepçën, falimentimi “brina s’ka”

Prishtinë | 31 Kor 2024 | 14:52 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka thënë për Ekonomia Online, se Qeveria Kurti ka tjera synime për Ndërmarrjen metalurgjike Trepça, të cilat i quan të “errëta” për këtë ndërmarrje.

Duke numëruar siç ka thënë dëmet që i ka shkaktuar kjo qeverisje në sektorin minerar, Shala ka thënë se Trepça aktualisht nuk ka as licencë, njëjtë siç nuk kanë as 400 ndërmarrje tjera, të cilat janë në pritje për licencë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

“Situata është jashtëzakonisht e ndërlikuar, jashtëzakonisht me shqetësime duke e përcjellë. Pjesa e palogjikshme, pjesa e patolerueshme edhe juridikisht edhe në kuptimin menaxherial, është mosreagimi i krerëve të shtetit. Mosreagimi i kryeministrit dhe ministres së linjës që është Ministria e Ekonomisë. Ministria e Ekonomisë është direkt e kyçur përmes njësisë për menaxhimin e ndërmarrjeve publike në Trepçë dhe përmes saj janë vendosur të gjitha kuadrot menaxhuese. Me aprovimin e saj, tash e 30 ditë në Trepçë ka një situatë jashtëzakonisht të rëndë të ndërprerjes së punës dhe tash e dy muaj minatorët nuk kanë marrë paga, Ministria heshtë. Ministria, praktikisht me Qeverinë po bëjnë luftë me sindiaktat e Trepçës, luftë të errët në dëm të ndërmarrjes dhe në dëm të sektorit”, ka thënë Shala.

Shala ka pasur kritika edhe për ndërrimet e shpeshta në Bord e për drejtor. Sipas tij, kjo qasje tregon mosgatishmërinë e Qeverisë Kurti për ta gjetur një zgjidhje për Trepçën.

“Parimisht, katër vite asnjë investim kapital në ndërmarrjen Trepça. Katër vite asnjë menaxhment stabil dhe juridikisht i zgjedhur, katër vite tri herë Bordi ndërrohet dhe tri herë ndërrohen drejtorët dhe në esencë një Qeveri që për katër vite ndërmarrjen në të cilën është vetë aksionar 80 për qind e nuk arrin ta stabilizojë as minimalisht e as në kuptimin njerëzor të resurseve humane e as në kuptimin tekniko-teknologjik, nuk mund ta kuptojmë ndryshe. Ajo që është me pasoja të rënda ekonomike, kjo Qeveri dhe kjo qasje po e shkatërron tërë sektorin e industrisë së rëndë minerare sepse njëjtë kanë vepruar dhe po veprojnë edhe me bizenet e sektorit privat. Shih raportet e KPMM-së, ku 400 ndërmarrje sot presin për leje dhe licenca në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale. Në tërësinë e këtij sektori, Qeveria ka goditur edhe sektorin privat edhe sektorin publik”, u shpreh ai, teksa sheh tendenca të “errëta” nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

Sipas tij, mungesa e licencës, borxhet e mëdha e mosekzekutimi i pagave për minatorët, nënkupton planin e ekzekutivit për ta shkatërruar gjigandin metalurgjik.

“Trepça sot është pa licenca, juridikisht është falimentuar, nuk ka drejtë pune për shkak të kësaj Qeverie. Juridikisht Trepça nuk ka të drejtë sot të operojë në kuptimin operacional minerar sepse Qeveria e ka lënë pa licencë. Pra, unë në bazë të këtyre indikatorëve që e shoh tash e katër vite, Qeveria ka plane të errëta për Trepçën, ose parimisht e dinë ku po don me dalë por që nuk ka fuqi njerëzore dhe juridike me dalë me thënë të vërtetën. Po falimentimi ‘nuk ka brina’. Me dhjetëra milionë euro borxh, ku puna është ndërprerë, ku licenca iu është heq Trepçës, ku minatorët nuk punojnë e ku nuk kanë marrë paga që dy muaj e minatorëve nuk u është paguar trusti që gjashtë muaj”, ka deklaruar Shala.

Të ngjashme