Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, kritikoi ashpër qeverisjen e Albin Kurtit, duke e akuzuar për bllokim institucional dhe shkelje kushtetuese.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala theksoi se vendi është futur në një ngërç politik prej pesë muajsh pas zgjedhjeve, ndërkohë që buxheti po shpenzohet pa llogaridhënie.
Shala i bëri thirrje Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti të reflektojnë dhe të largohen nga qëndrimi bllokues.
“Duke qenë koshientë dhe duke parë skandalet ekonomike, politike, duke e futur vendin nën sanksione të BE-së, tashmë politikat qeverisëse të Kurtit po e stopojnë mekanizmin e vetëm që mund të kërkonte llogaridhënie për të gjitha këto afera. E ka lënë një ekzekutiv të menaxhojë buxhetin e shtetit. Nuk ka organ llogaridhënës as mekanizëm që kontrollon se nga po shkojnë mjetet”, tha Shala.
Sipas tij, nuk ka projekte zhvillimore apo investime kapitale, ndërsa mekanizmat kontrollues janë paralizuar.
“Asnjë projekt këtë vit nuk e kemi parë, asnjë gurthemel apo investim kapital, mjetet janë duke u shpenzuar. Prapë në dëm të ekonomisë, institucioneve të shtetit dhe vetë shoqërisë sonë. Është e dyshimtë dhe e dëmshme. Është në dorën e atyre që e kanë të drejtën kushtetuese për ta lëvizur këtë pozicion bllokues dhe shantazhues të vendit”, shtoi ai.
Shala i bëri thirrje VV-së dhe kryeministrit Kurti të reflektojnë dhe të largohen nga qëndrimi bllokues.
Ai kërkoi që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim të qartë për tejkalimin e situatës dhe formimin urgjent të institucioneve.
“Ne nuk jemi të interesuar me asnjë çmim që ne të bëhemi pjesë e shkeljeve ligjore dhe kushtetuese. Kushtetuta është bazament i një shteti demokratik, që e kemi krijuar me mund dhe shumë sakrificë. Ne kemi protestuar dhe luftuar për një kushtetutë që ky vend të ketë rregull, ligj dhe demokraci. Ndryshe nuk është shtet.
Nuk mund të bëhemi pjesë e shkeljeve dhe po bëjmë maksimumin që të mos të jemi në të njëjtin taborr, as logjikë, duke kërkuar me qetësinë maksimale që Vetëvendosje dhe Albin Kurti të reflektojë dhe ta ndryshojë këtë pozicion që e ka në dëm të institucioneve të shtetit.
Gjykata Kushtetuese duhet ta marrë një vendim më të kthjellët, më të qartë dhe pozicionues, dhe ne të lëvizim shumë shpejtë në formimin e institucioneve”, tha për EO, Shala.
