Një vrasje që ka ndodhur më 23 shtator të vitit 2018 në fshatin Llukë të Deçanit, bëri bujë të madhe në mbarë vendin.
Shaban Gogaj akuzohet se e ka vrarë 29-vjeçarin, Agonis Tetaj, në vendin e tij të punës.
Kjo ngjarje u ri-aktualizua sërish pasi prokurori i rastit Agron Uka, këtë të martë e ka ri-cilësuar veprën si “Vrasje nga pakujdesia”.
Pas reagimit të familjarëve të viktimës, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka kërkuar të caktohet një prokuror i ri për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt dhe ka autorizuar Prokurorinë Themelore në Gjilan të marrë masa ndaj prokurorit Agron Uka.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), vlerëson se veprimi i kryeprokurorit Lumezi është diçka pozitive në kohën e duhur.
Në emisionin Info Magazinë në Klan Kosova, Shala ka folur edhe për rastin tragjik të Sebahate Sopit e cila u vra nga bashkëshorti i saj katër ditë më parë.
Sipas tij, kërkohen reforma të thella dhe rrënjësore në kuadër të sistemit të drejtësisë në mënyrë që të pastrohet sistemi i drejtësisë.
“Këto probleme që derivojnë në kuadër të sistemit të drejtësisë, janë probleme që rrjedhin edhe nga problemet e përgjithshme si mungesa e llogaridhënës brenda vet sistemit prokurorial dhe mungesa e profesionalizmit”.
“Në rastin konkret, janë disa raste të evidentuara; mirëpo ne nuk e dimë se edhe në sa raste tjera është vepruar në këtë mënyrë – që i bie se shteti me mosveprim vazhdimisht po ua cenon qytetarëve të drejtën në jetë”.
“Për këtë arsye kërkohen reforma të thella dhe rrënjësore në kuadër të sistemit të drejtësisë në mënyrë që ta pastrojmë sistemin e drejtësisë nga këto fenomene sepse në këtë rast nuk kemi të bëjmë më me raste individuale, por me fenomene në ngritje të vazhdueshme”.