Eksperti i sigurisë, Drizan Shala ka thënë se Kosova qëndron në një gjendje stabile dhe të menaxhueshme sa i përket sigurisë.
“Situata e sigurisë në Kosovë është e menaxhueshme, ku edhe mekanizmi vendor por edhe ai ndërkombëtar janë duke bashkërenduar disa aktivitete në veçanti shkëmbimin e informacioneve sa i përket kërcënimeve të mundshme qoftë nga brenda ose jashtë që mund të atakohet Republika e Kosovës”.
“Po vërehet një atmosferë e zymtë në qytetet e tona sepse jemi në pritje të disa aktiviteteve që është duke i zhvilluar në prapaskenë Gjykata Speciale dhe në këtë formë edhe siguria është në një fazë të pauzës pasi fokusi kyç edhe i akterëve të sigurisë, por edhe i atyre politikë se si po zhvillohen proceset”.
Shala në Klan Kosova foli edhe për ndikimin e emërimeve dhe shkarkimeve që bëhen nëpër institucione të ndryshme në vend.
“Ata të cilët emërohen në pozita të caktuara kanë shkallën e sigurisë të lartë, kanë qasje në informacione sekrete dhe në qoftë se ka ndonjë ndryshim menaxheria atëherë probabiliteti është shumë i lartë që disa informacione të cilat mund të barten nga një menaxhment në tjetrin e atakon edhe policin më të thjeshtë”.
“Në Kosovë kemi shpesh emërime dhe shkarkime dhe kjo e atakon sigurinë me apo padashje – kjo i mbetet aspektit politikë”.