Këto ditë u dha njoftimi se “Ndërmarrja Publike Pastrimi” do të dërgojë në procedurë përmbarimore të gjithë borxhlinjtë që u janë akumuluar borxhet ndër vite. Në kushte normale, mirë do thoja, është veprim që duhet ndërmarrë sepse mbeturinat duhen paguar. Po edhe një pse e kam unë! Pse u lanë qytetarët të akumulojnë borgje aq shumë, e nuk u ndërmorën hapa më herët ,por t’u zihet bisht me derë tash në kohë pandemie.
Njëjtë ka vepruar edhe “Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina” në fillim të pandemisë. Kur një qytetar që merr pagë 300 – 400 euro, e ka borxh për mbeturina 500 euro dërgohet në procedurë përmbarimore, dihet se çka ndodhë. Ngrihen llogaritë deri në momentin e inkasimit të borxhit dhe interesit të përmbaruesit. Për një borxh të tillë llogaria e qytetarit mbetet e ngrirë deri në dy muaj, sepse pa u paguar borxhi e interesi i përmbaruesit llogaria mbetet e ngrirë.
Gjeni mekanizma e metoda që borxhi të mos akumulohet fare. Ka, besoni që ka, vetëm duhet hulumtuar e lodhur trurin se ka metoda që qytetarit nuk i lënë mundësi që borxhi t’i akumulohet. Bëhuni kreativ se fundja menaxhoni ndërmarrje publike dhe askush nuk ua ka vënë lakun në fyt kur keni pranuar një detyrë të tillë, andaj lodheni trurin. Masa Ekstreme si kjo e përmbaruesit janë mjetet e fundit që duhen aplikuar.
Në anën tjetër Ligi për Rimëkëmbje Ekonomike kurrsesi të kaloi në kuvend. Ligj ky që besohej se do të ndikonte në rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Nëpërmjet këtij ligji një pakicë qytetarësh kishin varur shpresat te tërheqja e 10% të Trustit Pensional si mundësi për të larë borxhet e akumuluar edhe te kompanitë publike si ajo e ujësjellësit dhe ajo e pastrimit. Madje ka edhe nga ata qytetarë që llogarisnin në paratë e Trustit pensional që të mbyllnin dhe kreditë që asesi ti mbyllin që nga fillimi i pandemisë kur edhe kanë humbur vendet e punës, kryesisht në sektorin privat.
Zotërinj të nderuar mos t’u gënjejnë shifrat se si fort po krekoseni se që nga fillimi i pandemisë. Ato shifra tregojnë se sa kanë nevojë qytetarët për 170 euro të shtetit që nëpërmjet një kontrate mund ti marrin. Tregojnë varfëri e jo uljen e papunësisë në vend.
Me krejt këto shantazhe ligjore e pa përgjegjësi të legjislativit, qytetarët tanë po goditen rënd në katër forma:
Në formë psikologjike duke u terrorizuar nga virusi dhe frika e tij, shto këtu shantazhimin publik të kompanive se do ti dërgojnë në procedurë përmbarimore.
Në formë shëndetësore nga fakti se kemi të bëjmë me një virus të panjohur e që vret.
Në formën ekonomike, sepse përmbarimi do tua ngrijë llogaritë dhe nuk do kenë qasje në rrogë
E fundit por jo më pak e rëndësishme, është edhe mos votimi i ligjit për rimëkëmbje ku shumë qytetarë i kishin varur shpresat.