Dyshja shqiptare Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka do të kërkojnë ta frymëzojnë Zvicrën drejt çerekfinales së parë në Kampionatin Evropian 2020, kur të përballen me kampionen e botës, Francën, sot në Bukuresht.
Zvicra dhe Franca do të përballen në 1/8 e finales në Arenën Kombëtare në Bukuresht në orën 18:00, raporton Gazeta Express.
Pas një barazimi me Uellsin dhe një humbjeje të thellë me Italinë në dy ndeshjet e para në Grupin A, Zvicrës iu desh pak frymëzim për ta arritur 1/8 e finales në ndeshjen e fundit në grup kundër Turqisë dhe atë e gjeti të Shaqiri.
Anësori nga Kosova i shënoi dy prej tri golave të triumfit 3:1 kundër turqve dhe e dërgoi Zvicrën në fazën e eliminimit direkt si njëra prej katër ekipeve të renditura më së miri në vendin e tretë.
Franca, ndërkohë, e fitoi Grupin F dhe u kualifikua si lidere pa ndonjë telashe të theksuar.
Shaqiri dhe kapiteni Xhaka do të kërkojnë ta shkruajnë historinë e futbollit zviceran duke e dërguar kombëtaren helvetike në çerekfinale të një evropiani për herë të parë në historinë e saj.
Në Euro 2016 Zvicra e eliminua në 1/8 e finales pasi u mposht nga Polonia në penallti.
Por Zvicra nuk e ka mposhtur kurrë Francën në një ndeshje garuese, duke i pësuar dy disfata dhe duke barazuar katër herë. Takimi i fundit mes tyre ishte barazimi pa gola në fazën grupore në Euro 2016.
Xhaka, i cili është duke e udhëhequr Zvicrën si kapiten për herë të parë në një turne, shpreson që përvoja do t’i ndihmojë atij dhe bashkëlojtarëve të tij ndaj kampiones botërore.
“Është një natë e madhe për ne, për të gjithë Zvicrën. Ne mund ta shkruajmë historinë vetëm nëse e japim 120% nga vetja”, tha Xhaka para ndeshjes.
Fituesi i këtij takimi do të përballet me fituesin e takimit Kroaci – Spanjë, i cili zhvillohet po ashtu sonte në orën 21:00.