Shaqiri do të largohet nga Liverpooli, mësohen katër skaudrat që duan shërbimet e tij

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Xherdan Shaqiri do të largohet nga Liverpooli gjatë afatit kalimtar veror.

Ylli nga Kosova nuk ka pasur hapësirat e duhura këtë edicion dhe synon që të transferohet te ndonjë skuadër ku luan rregullisht dhe ndihet i rëndësishëm.

Mediat në Angli kanë raportuar se Liverpooli e ka nxjerr në shitje anësorin gjilanas dhe se kërkon 15 milionë euro për ta lënë të lirë.

Deri më tani janë katër skuadra që janë vënë pas reprezentuesit zviceran, ku në Serie A ka një derbi lokal për t’i siguruar shërbimet e tij.

Dy skuadrat nga kryeqyteti italian, Roma dhe Lazio e duan transferimin e tij, pasi Shaqiri shihet si një lojtar që do ta bënte diferencën.

Në rast transferimi në Serie A, për Shaqirin do të ishte një rikthim në kampionatin italian, ku më parë ka luajtur për gjashtë muaj te Interi.

Por në garë për t’i siguruar shërbimet e futbollistit shtatshkurtër janë edhe Sevilla dhe gjiganti turk Fenerbahce.

I sigurt është vetëm largimi i tij nga Liverpooli, por jo edhe skuadra në të cilën mund të transferohet.

Gjatë ditëve të ardhshme mund të shfaqet ndonjë skuadër nga Liga Premier që dëshiron shërbimet e tij, pasi më parë ishin klube si West Ham United apo Newcastle që kërkonin shërbimet e Shaqirit.

29-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 29 ndeshje me The Reds, ku ka shënuar një gol dhe ka bërë katër asistime.

Të ngjashme