Xherdan Shaqiri ka thënë se është plotësisht i gatshëm për të dhënë kontributin e tij te Liverpooli në edicionin 2019/20, pasi ka tejkaluar plotësisht lëndimin.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Liverpoolit, të mërkurën, Shaqiri ka thënë se në edicionin e ri pret suksese më të mëdha. Ai ka disa ditë që i është bashkuar ekipit në stërvitjet e përbashkëta pas lëndimit që e pati pësuar muajin e shkuar me Përfaqësuesen e Zvicrës.
Liverpooli edicionin e fundit, triumfoi në Ligën e Kampionëve dhe doli nënkampion i Anglisë, por kontributi i Shaqirit nuk ishte i madh, sidomos jo në pjesën e dytë të stinorit.
Ai po shpreson se Liverpooli do ta nisë edicionin me trofe, pasi këtë të dielë do të përballet me Manchester Cityn për Superkupën e Anglisë. Ndeshja do të luhet në “Wembley” (16:00).
“Jam shumë i lumtur që më në fund jam kthyer në stërvitje dhe jam rikuperuar plotësisht. Po ndihem mirë dhe i gatshëm për ta ndihmuar ekipin në edicionin e ri”, është shprehur Shaqiri.