Kosova nuk duhet të humbasë energjinë me iniciativat të cilat nuk janë prioritete në rrugën integruese, ka thënë drejtori ekzekutiv në institutin “Epik”, Demush Shasha.
Sipas tij, iniciativa për Mini-Shengenin vuan nga një numër defektesh që nga lansimi i saj dhe nuk ka arritur të jetësojë parimin e gjithëpërfshirjes dhe pronësisë nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor. Si problem ai e sheh mungesën e institucionalizimit dhe qëndrueshmërisë së iniciativës Mini-Shengen, transmeton KOHA.
Shasha, i cili udhëheq Institutin që ka objektiv mbështetjen e përpjekjet për integrimin evropian të Kosovës, thotë se iniciativat e tilla mund të kenë sukses në dy skenarë. Skenari i parë është kur vetë vendet e rajonit tregojnë vullnetin dhe përkushtimin e tyre për të jetësuar ndonjë iniciativë të bashkëpunimit rajonal.
Skenari i dytë, siç ka thënë ai, është kur një akter i jashtëm, SHBA apo BE – ofron mbështetje politike, institucionale dhe financiare për iniciativën respektive rajonale.