Shasha: Pjesëmarrja e VV-së në Shqipëri, gabim

Prishtinë | 13 Pri 2021 | 21:15 | Nga Ekonomia Online

Demush Shasha e sheh si shqetësuese mënyrën se si veproi dhe po vepron skena politike në vend.

Ai në Deskun e KOHËS ka thënë se në gjithë botën pandemia ka shërbyer për unifikim të politikës, kurse në Kosovë, sipas tij, ka ndodhur e kundërta.

Ai ia ka zënë për të madhe VV-së dhe kryeministrit Albin Kurti për përfshirjen në procesin zgjedhor në Shqipëri përmes “kandidatëve të pavarur”.

“Kjo është fatkeqësi. Në Kosovë është bërë ekzakt e kundërta që ka bërë gjithë bota. LDK, PDK, AAK u bënë bashkë për të rrëzuar një qeveri e për të ndërtuar një tjetër. Pandemia është përdorur për kalkulime politike. Edhe sot është vazhdimësi e kësaj. Besoj që çdo autoritet moral PDK, LDK e AAK e kanë humbur për të kritikuar, por argumenti qëndron në këtë rast konkret në masë të madhe. Unë dua të shoh në mes të një pandemie kryeministrin tim që viziton Klinikën Infektive në Prishtinë, Prizren e Ferizaj, jo Shqipërinë për një kandidat në Dibër apo s’di ku”, ka thënë Shasha.

Shasha ka thënë se kryeministri Kurti në këtë kohë duhet të sigurojë qytetarët se do të ndodhë vaksinimi, se do të futen miliona euro në biznese e të tjera.

“Kjo shpërputhje krijon një ambient ku shfrytëzohet më te drejtë nga mediat, qytetarët e politikanët për të treguar se kështu nuk shkon. Nuk është me rëndësi pozita e një lumi dhe protesta për të në Shqipëri sesa jeta këtu. Kurti ka thënë gjithnjë se bashkimi do të ndodh natyrshëm, porse na duhet një Kosovë dhe një Shqipëri e fortë. Neve na duhet të luftohet korrupsioni në Kosovë”, ka shtuar Shasha.

Të ngjashme