Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se qeveria e ardhshme duhet të merret me reformat e brendshme dhe në të njëjtën kohë dhe me dialogun me Serbinë.
Sipas tij, marrëveshja me Serbinë s’mund të arrihet deri në vitin 2022 dhe kjo i ofron kohë të mjaftueshme qeverisë së ardhshme të merret edhe me prioritetet e qytetarëve siç janë punësimi luftimi i korrupsionit dhe reformat tjera.
“Konsideroj që qeveria e ardhshme Kurti 2 duhet të pajtojë dy realitete. Realiteti i parë është ai i qytetarëve të Kosovës. Pra të pritjeve të qytetarëve të Kosovës për të cilat qeveria Kurti 2 ka marrë mandat demokratik e ajo është që të shtyjë përpara reformat e brendshme me theks të veçantë në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Realiteti tjetër është ai i pritjeve të partnerëve tanë ndërkombëtar sa i përket vazhdimit të dialogut me Serbinë. Pra qeveria Kurti duhet ti bëjë këto dy realitete të bashkëjetojnë dhe kjo është tërësisht e mundshme. Pra nuk e ndalon asgjë qeverinë Kurti 2 që të bëjë dy gjëra në të njëjtën kohë dhe neve që për dhjetë vjet që nga fillimi i dialogut jemi marrë ekskluzivisht dialogun duke lënë interesat dhe prioritet e qytetarëve i kanë lënë anash. Tash është koha ta bëjnë një qasje të re një qasje ku bëjnë progres edhe në reformat ë brendshëm edhe në dialogun me Serbinë dhe në këtë drejtim konsiderojë që qëndrimi i presidentit Vuçiq në një formë ironike na na bënë favor. Kjo pasi që presidenti Vuçiq ka deklaruar që deri në prill të vitit 2022 nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në serbi. Kjo i bie që qeveria e ardhme Kurti të mund të shpenzojë një deri në dy vjetët e ardhshme në ndërmarrjen e reformave të brendshme ndërsa prej fundit të vitit 2022 dhe në vitin 2023 mund të rifokusojë vëmendjen e saj në dialogun me Serbinë. Qeveria Kurti 2 mund të gjejë një formë ku këto dy prioritetet do të akomodohen brenda një afati kohor brenda dy deri tre vjet”, shtoi Shasha.
Sipas tij, rruga e tretë është që të mos shpenzohet gjithë vëmendja jonë politikë në dialogun me Serbinë, por të bëhet një punë diplomatike e cila do të ishte thelbi kryesor i marrëveshjes Kosovë Serbi.
“ Rruga e tretë është që të mos shpenzojmë gjithë vëmendjen tonë politikë në dialogun me Serbinë ashtu siç kemi bërë deri më sot. Por njëkohësisht të mos injorojmë në tërësi dialogun. Pra rruga e tretë është një rrugë e mesit. Një rrugë ku shpenzohet më shumë kohë thelbësore por jo në aspektin publik përmes takimeve në Bruksel e Uashington por shpenzohet një punë diplomatike e cila mund të identifikojë dy tri skenarë të cilët do të ishin thelbi i marrëveshjes Kosovë-Serbi në dy vjetët e ardhshme. Dhe kjo do të hapte rrugë që edhe opinion publik në Kosovë të përgatitet për atë kompromisin rreth marrëveshjes me Serbinë. Dhe gjithë kjo do të krijonte një hapësirë kohore ku gjatë vitit 2021 dhe 2022 do të ishim marrë me reformat ë brendshme derisa në vitin 2023 do të ishim marrë me dialogun me Serbinë përmbylljen e marrëveshjes përfundimtare”, shtoi ai.
Shasha potencoi se nëse shtrohet një plan i qartë për angazhim në dialog me Serbinë sa i përket reformave të brendshme ndërkombëtar do e përkrahin fuqimisht.
“Edhe intervista e ambasadorit Kosnett ishte që partnerët ndërkombëtar janë këtu tani edhe për të dëgjuar idetë dhe sugjerimet e Kosovës për të dalë me një rrugë përpara sa i përket dialogut. Unë jam i bindur që nëse shtrohet një plan i qartë për angazhim në dialog me Serbinë duket që nuk injoron reformat e brendshme unë jam i bindur që partnerët tanë ndërkombëtar do e përkrahin fuqimisht”, tha Shasha.
Ai tha se duhet pritur certifikimi rezultateve, në mënyrë që të bëhet konstituimi i institucioneve të reja.
Shasha shtoi se tani është e qartë që mazhoranca kontrollon mbi 60 vota në Kuvend dhe kjo nuk do ta pengojë zgjedhjen e institucioneve.
“Tani duhet të presim certifikimin e rezultateve dhe nuk shoh asnjë pengesë në konstituimin e institucioneve të reja qoftë zgjedhjes së qeverisë kryetarit të kuvendit dhe zgjedhjes së presidentit. Tani është e qartë që mazhoranca kontrollon mbi 60 vota në kuvend dhe kjo nuk do ta pengojë zgjedhjen e institucioneve. Në këtë aspekt po shihet qartë që mesazhi i SHBA-së është që të mos ketë akrobacione politike por të zgjidhen institucionet e vendit. Besoj që edhe PDK dhe LDK do të tregojnë pjekurinë e tyre për të dhënë kontributin e tyre në realizimin e vullnetit të qytetarëve”.