Shasha rrëfen se si Coronavirusi ia mori vëllain: Luftoi vetëm për të marrë frymë

Prishtinë | 28 Mar 2021 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha, ka rrëfyer përvojën e tij dhe të familjes gjatë kohës kur kanë qenë të infektuar me koronavirus dhe ku pandemia ia kishte marrë jetën të vëllait, Flamurit.

Shasha ka rrëfyer në KTV se i vëllai kishte kaluar momente shumë të rënda shëndetësore gjatë kohës sa ishte i infektuar me COVID-19, duke thënë se situata iu keqësua kur nisi të kishte probleme me frymëmarrje.

“Disa simptoma filluan t’i shfaqeshin, si kokëdhimbje, temperaturë të lartë dhe koll të thatë. Dita-ditës, bëhej më keq dhe terapia që po e merrte nuk po i ndihmonte. Temperatura i rritej, humbja e energjisë çdo ditë e më tepër po shtohej ndërsa situata u bë alarmuese kur filloi të kishte probleme me frymëmarrje”, ka rrëfyer Shasha për vëllain që fillimisht ishte i shtrirë në Spitalin e Pejës.

Shasha thotë se i vëllai kishte nevojë për oksigjen, ndërsa me t’u shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë, iu sigurua një bombol me oksigjen mjekësor, dhe kishte filluar të shfaqte shenja të përmirësimit.

“Gjatë kësaj kohe ishte i vetëdijshëm ndërsa gjatë së premtes, vëllai ishte aq mirë saqë u ngrit në këmbë, e hoqi maskën e oksigjenit, doli në ballkonin e dhomës dhe qëndroi. Biseduam paksa dhe u kthye vet në shtrat. Pas këtij episodi, gjendja filloi të rëndohej. Më nuk ishte në gjendje të qëndrojë pa oksigjen dhe në përgjithësi gjatë gjithë natës, ka pasur bezdisje, s’ka qenë mirë, nuk ka mundur të mbushej mirë me oksigjen, s’mund të flinte dhe kështu, të shtunën, vërehet se është edhe më keq dhe në kontrollin e mëngjesit, mjeku ia rekomandon disa ushtrime fizike dhe njëri prej tyre ishte që vëllai të shtrihet në krah”, rrëfen Shasha.

Shasha thotë se mjeku i rekomandoi të shtrihej në krah, ndërsa vetë të godiste me tërë fuqinë në shpinën e tij, në mënyrë që t’i largohej ndonjë gjë e mbetur në mushkëri.

Pas kësaj, Shasha thotë se vëllain u desh ta dërgonin në Mjekësinë Sportive, tek pacientët që kanë nevojë për ventilator.

“Nuk zgjati shumë dhe erdhi shtrati për të bartur vëllain dhe për ta bartur është dashur të shkyçet nga oksigjeni dhe të kyçet me bombolën tjetër… Vëllai thoshte se në maskë nuk kishte mjaftueshëm oksigjen, ka marrë frymë paksa, ndërsa më pas i është ndërprerë frymëmarrja”, thotë tutje ai.

“Fjalët e fundit të vëllait ishin duke kërkuar oksigjen. Jam i bindur që vëllai ka qenë në gjendje të rëndë, gjithçka që ka ndodhur për transportin e tij nuk është bërë në mënyrë të duhur. Kur një mjek doli nga Mjekësia Sportive më njoftoi dhe më shprehi ngushëllime. Është një situatë e jashtëzakonshme kur nuk dinë çfarë të bësh. Një dikush që para shtatë ditësh ka qenë i shëndetshëm, ka qeshur dhe ka jetuar jetën pa asnjë mendim të dytë, si ndodhi gjithë kjo. Si jam unë para Mjekësisë Sportive pa vëlla”.

Drejtori i EPIK-ut ka rrëfyer më pas edhe përvojën e tij kur është infektuar me COVID-19 dhe simptomat ishin pothuajse të njëjta me ato të vëllait.

“Unë e kam kaluar virusin lehtë, filloi çdo gjë me simptomat e zakonshme, kokëdhimbje, humbje të energjisë por s’kam pasur simptoma të rënda. Zgjatën diku 5-6 ditë dhe pushuan. Është infektuar babai, edhe ai lehtë e ka kaluar me simptoma të njëjta por ajo pjesë që ishte më e rëndë ishte jo aq shumë simptoma nga COVID-19 por ishte presioni psikologjik, prej atyre kujtimeve që i kemi përjetuar me vëllain. E kam fjalën që pas një përvoje të tillë, çdo simptomë apo ashpërsim i ndonjë simptome që në fakt është asgjë e jashtëzakonshme, në kokën tënde duket si diçka jashtëzakonisht tragjike”, ka thënë ai.

Shasha ka deklaruar institucionet vendore nuk kanë bërë sa duhet për menaxhimin e pandemisë, duke përmendur rastin kur në mes të pandemisë, përfaqësues të partive ishin mbledhur “për ta zhvendosur vëmendjen nga virusi të betejat politike”.

“Kjo ka dërguar një sinjal të mungesës së seriozitetit karshi virusit. Ka qenë pastaj kot të dalësh në televizor dhe të bësh thirrje të respektohen masat, ishte hendek i madh mes fjalëve dhe veprave”.

“Mjekët kanë bërë maksimumin por rrethanat që kanë punuar dhe janë duke punuar, janë jashtëzakonisht të vështira”, ka shtuar Shasha.

Shasha ka thënë se pandemia ka shpërfaqur gjendjen e sistemit shëndetësor në Kosovë, duke shtuar se kjo pandemi duhet shërbyer si mundësi për të ndryshuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme