Shasha: Shthurrja e rrjetit që ka kapur institucionet duhet të jetë prioritet i Qeverisë

Prishtinë | 13 Pri 2021 | 21:50 | Nga Ekonomia Online

Demush Shasha vlerëson se prioritet i qeverisjes nga Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë çkapja e shtetit. Ai vlerëson se gati çdo institucion është i kapur.

Në një intervistë në emisionin Desku në KTV, Shasha është shprehur se kjo punë nuk kryhet për një vit ose dy, por se duhet të jetë prioritet i Qeverisë Kurti dhe duhet të kryhet.

“Nuk e di se çfarë mënyrash do të gjejë Lëvizja Vetëvendosje për të avancuar këtë agjendë le të themi të çkapjes së shtetit. Por çfarë di është se problemi kryesor i Kosovës dhe faktor kyç për të çuar Kosovën drejt të qenit një shtet i suksesshëm, është çkapja, ndarja në mes të atyre që kontrolluan çdo gjë për 20 vite dhe funksionimit të mirëfilltë të institucioneve demokratike. Dhe këtë si do e arrijë VV-ja nuk e di saktë. Se a do të jetë një ligj i ri, a do të ndryshohet ligji, nuk e di. Problemi nuk është me urgjencën e ndryshimit të ligjeve. Problemi është se në kuadër të çdo institucioni, le ta banalizojmë, prej Institutit për Trashëgimi Kulturore e deri te Këshilli gjyqësor i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka njerëzit që kanë ndërthurur ndër vite, palë-palë, interesat e tyre personale me interesat të një kaste njerëzisht që kanë udhëhequr këtë vend për 20 vite. Dhe tani ky rrjet interesash nuk zhbëhet vetvetiu, e as nuk zhbëhet brenda një viti apo dy. Cila do të jetë mënyra më e mirë për të zhbërë këtë xhungël të interesave meskine, nuk e di. Por kjo duhet të jetë targeti i Qeverisë”, ka thënë Shasha.

Të ngjashme