SHASHJ: Pezullimi nga puna i Albert Prenkajt, hakmarrës dhe i kundërligjshëm

Prishtinë | 30 Mar 2023 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ), ka pranuar me shqetësim vendimin për pezullimin e marrëdhënies së punës ndaj Albert Prenkaj, aktualisht Drejtor i Departamentit për Amerika.

Shoqata Sindikale në reagimin e saj ka thënë se një vendim i tillë është hakmarrës dhe i kundërligjshëm.

“Shoqata Sindikale e konsideron si pjesë të fushatës hakmarrëse nga menaxhmenti i MPJD-së i vendosur në mënyrë të kundërligjshme në MPJD ndaj Ambasadorit të karrierës z. Prenkaj, ndër të tjera, edhe për shkak të pjesëmarrjes së tij në aktivitetet e Shoqatës Sindikale, duke qenë edhe anëtar i saj, gjatë të cilave aktivitete janë denoncuar kundërligjshmëritë në MPJD, duke përfshirë edhe Rregulloren nr. 01/2022 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MPJD”, thuhet në reagim.

Shoqata Sindikale kishte organizuar një protestë paqësore para objektit të MPJD si reagim ndaj veprimeve kundërligjore dhe sipas tyre Prenkaj i autorizuar nga Këshilli ekekutiv i Shoqatës, ishte drejtuar medieve në emër të protestuesve anëtarë të Shërbimit të Jashtëm.

Sipas Shoqatës, “drejta e organizimit të protestës paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe akte ligjore në fuqi dhe është e ndalueshme të cenohet e drejta e organizimit sindikal e aq më tepër të ketë reperkusione dhe persekutime për një aktivitet të tillë”.

Shoqata Sindikale ka kërkuar nga menaxhmenti i MPJD-së, t’i ndalin veprimet sipas tyre “hakmarrëse dhe kriminale”, ndaj tyre dhe anëtarëve të saj.

Prenkaj pas pezullimit nga puna: Në MPJD ka grup kriminal që i shkel ligjet në baza ditore
“Duke e konsideruar veprimin e fundit ndaj Amb. Prenkaj, si një vazhdimësi të veprimeve hakmarrëse ndaj anëtarëve të Shoqatës Sindikale, thyerjes së zyrës, marrjes së arkivës dhe vulës së saj, duke vazhduar me persekutimin ndaj z. Agron Maloku, kryetar i Shoqatës, dhe anëtarëve tjerë të Shoqatës dhe pjesëmarrësve tjerë të protestës, Këshilli Ekzekutiv i Shoqatës Sindikale i bënë thirrje menaxhmentit të MPJD-së të ndalin veprimet hakmarrëse dhe kriminale ndaj Shoqatës Sindikale dhe anëtarëve të saj”, thuhet në reagim.

Po ashtu, kjo shoqatë ka bërë thirre te Avokati i Popullit, Prokuroria e Shtetit të veprojnë sepse sipas tyre po shkelet e drejta e tyre për organizim sindikal na menaxhmenti i MPJD-së.

“Shoqata Sindikale i bënë thirrje Avokatit të Popullit, Prokurorisë së Shtetit që të veprojnë në drejtim të hetimit të shkeljeve të së drejtës së organizimit sindikal nga ana e menaxhmentit të MPJD-së dhe të drejtës së shfrytëzimit të mjeteve juridike të anëtarëve të shërbimit të jashtëm të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi”, thuhet në reagim.

Drejtori i Departamentit për Amerikë, Albert Prenkaj, është pezulluar nga puna me vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Ai është pezulluar nga puna deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e Komisionit Disiplinor.

Deri atëherë, Prenkajt do t’i ndalohet hyrja në objektin e MPJD-së, dhe çdo veprimi tjetër që mund “t’i cenojë/dëmtojë provat” sipas lëndës së iniciuar ndaj tij.

Vendimi për pezullimin e tij është bërë përkundër që Gjykata Themelore e Prishtinës, më 20 mars, e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e Alber Prenkajn kundër Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

Të ngjashme