Komisioni Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala, intervistoi kryesuesen e Bordit të Drejtorëve në Telekom, Besa Shatri-Berisha, raporton Ekonomia Online.
Aty fillimisht Shatri-Berisha u përgëzua nga deputetët për vendimin e marrë edhe nga kompania për shkëputjen e kontratës me operatorin virtual Z-Mobile.
Por u pyet nga deputetët për hapat e mëtutjeshëm.
“Tash pas shkëputjes së kontratës me operatorin virtual cilat janë hapat që ju si bord do merrni karrshi kësaj kontrate dhe ndaj klientëve që i përdorin numrat e Z-Mobile”, pyeti deputeti Visar Ymeri.
Shatri-Berisha tha se pas shkëputjes së kontratës mes Telekomit dhe Z-Mobile, ka pasur shumë pika të mosmarrëveshjes nga Telekomi për Z-Mobile.
Tha se dëmi kryesor që operatori virtual i ka bërë Telekomit, ka qenë konkurrenca ndaj kësaj të fundit.
“Ky vendim u marr pas shumë vendimeve paraprake që kemi marrë si Bord. Pas vendimit të bordit ne e kemi njoftuar ZMobile që kontrata nuk do vazhdoj tutje. Ne besojmë që brenda 30 ditëve do të kthejmë 30 përqind të konsumatorëve më Telekom. Pikat e mosmarrëveshjes kanë qenë shumë. Dëmi kryesor që iu ka shkaktuar Telekomit është për shkak që çmimet nuk kanë qenë të rregulluara, një nga ankesat e Telekomit janë se Z-Mobile në vend që të shes për neve ata na kanë bërë ko konkurrencë neve”, tha ajo
Shatri-Berisha tha se tani më për borxhin që Telekomi i detyrohet Z-Mobile, kjo e fundit veç se e ka dërguar Telekomin në përmbarim.
“Ne i kemi një borxh Z-Mobile me vendim të Arbitrazhit, për atë borxh ZMobile veç na ka dërguar në përmbarim. Ne kemi kërkuar që Z-Mobile ta njoh borxhin rreth 11 milionë që ia ka Telekomit. Ekspertiza financiare ka treguar që Telekomi me këtë kontratë ka humb rreth 15 milionë euro”, tha ai.
“Çka do ndodhë me numeracionin e Z-Mobile a do kthehen këta numra menjëherë në pronësi të Valës”, pyeti deputeti Haxhi Avdyli nga LDK.
Shatri-Berisha, tha se vetëm Telekomi ka licencë për numrat e saj, dhe se ata numra nuk janë të ZMobile pasi ka kaluar edhe afati i shfrytëzimit të këtyre numrave për kompaninë ZMobile.
“Numeracioni është me rëndësi që ZMobile ka në shfrytëzim numrat e Telekimit. Z-Mobile nuk ka infrastrukturë të vet ideja e fazës së tranzicionit është që shërbimet që i ka pasur ZMobile të kthehen në Telekom. I bëj thirrje ARKEP që ta mbajë anën e drejtë dhe të dalë me deklaratë që numrat t’i takojnë kompanisë që ka licencë ne ata numra do T’i kthejmë në Telekom sepse koha e shfrytëzimit të tyre ka kaluar më 31 korrik”, tha ajo.
Shatri-Berisha tha se Z-Mobile po përgatitet për një arbitrazh të ri dhe se Telekomi nuk është gati për një të tillë.
Ajo shtoi se gjendja aktuale në Telekom është mjaftë e keqe pasi kohët e fundit ka pasur shumë rënie të shërbimeve.
“Z-Mobile po përgatitet për një arbitrazh të ri por ne nuk jemi. Telekomit nuk i duhet një operator virtual ne nuk mund të i ndalim ata që të ma padisin në Arbitrazh. Gjendja aktuale në Telekom është shumë e keqe pasi ka ramje të shërbimeve”, tha Shatri-Berisha.
“Është e palogjikshme që të dilet me interpretime që numrat i takojnë Z-Mobile, ata numra i takojnë Telekomit”, tha Shatri-Berisha.
“A qëndron fakti që një prej arsyeve të dënimit të telekomit ka qenë mos ofrimi i 100 mijë numrave”, pyeti deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Shatri-Berisha tha se Telekomi ka pas argumente mjaftueshëm për ta fituar procesin në Arbitrazh.
“Po shfrytëzimi i 100 mijë numrave dhe mos dhënia e shërbimit 3G dhe 4G”. Telekomi ka pas argumente mjaftueshëm për ta fituar Arbitrazhin, dënimi që ia ka bë Arbitrazhi Telekomit si ndëshkim ka qenë 30 milion, kjo më shumë është ndëshkim dhe interes së sa bazë e fitimeve të humbura”.
“…mundësia me e kthyer në arbitrazh lëndën që veç është marrë një vendim. Është e pamundur. Në momentin që kjo kontratë shpallet e dëmshme atëherë ne na hapen rrugët për padi ligjore, Telekomi nuk ka opsion tjetër ligjor që ta kthejë mbrapa vendimin e Arbireazhit”, tha Shatri-Berisha.
“A i keni evidentuar shpenzimet për sponsorime, donacionet dhe qiratë”, pyeti deputeti i LDK-së Armend Zemaj.
Shatri-Berisha tha se kanë marrë disa vendime për këtë çështje, raporton EO.
“Sa i përket donacioneve pas shqetësimit që po japin donacione përkundër faktit që Telekomi është në gjendje të keqe ne kemi marrë vendim që donacionet dhe sponsorizimeve mos të ipen pa kaluar në bordin e drejtorëve për aprovim. Jemi në hartim të një plani për vendosshmërinë e vendosjes së antenave dhe për dislokim të tyre ku ka nevojë”.
“Në shumicën e kontratave që Telekomi ka nënshkruar me palët e treta, ato nuk kanë shkruar asnjëherë fillimisht për aprovim në Zyrën Ligjore nëse duhet apo nuk duhet të aprovohen. Rënia e të hyrave në Telekom kanë filluar që nga viti 2015”, tha Shatri-Berisha.