ShBA arrin shifrën e 700 mijë të vdekurve nga Covid-19

Prishtinë | 03 Tet 2021 | 10:24 | Nga Ekonomia Online

Numri i vdekjeve nga COVID-19 në SHBA tani ka tejkaluar shifrën e 700 mijë viktimave, pavarësisht disponueshmërisë së gjerë të vaksinave.

Të dhënat nga Universiteti Johns Hopkins tregojnë se Shtetet e Bashkuara patën 100 mijë vdekje në dy muajt e kaluar, nga 600 mijë vdekje sa ishin deri në qershor.

Vendi ka pasur gjithsej 43.6 milionë raste të konfirmuara me virusin vdekjeprurës që nga fillimi i pandemisë.

Gjatë muajve të fundit, shumica dërrmuese e njerëzve që vdiqën nga COVID nuk ishin të vaksinuar, shkruan Guardian, përcjell Klankosova.tv.

Pasi varianti Delta u bë varianti më i zakonshëm në SHBA gjatë verës, amerikanët e pavaksinuar kishin 10 herë më shumë gjasa të shtroheshin në spital dhe të vdisnin për shkak të virusit, krahasuar me amerikanët e vaksinuar, sipas një studimi nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Ndërsa kombi ynë mban zi për historinë e dhimbshme të 700 mijë vdekjeve amerikane, ne nuk duhet të bëhemi të mpirë nga pikëllimi. Në këtë ditë, dhe çdo ditë, ne kujtojmë të gjithë ata që kemi humbur nga kjo pandemi dhe lutemi për të dashurit e tyre të lënë pas, të cilëve u mungon një pjesë e shpirtit të tyre”, tha presidenti Joe Biden.

“Ndërsa ne përpiqemi, numri i habitshëm i vdekjeve është një tjetër kujtesë se sa e rëndësishme është të vaksinohesh.”

Vdekjet e fundit kanë qenë kryesisht në shtetet jugore që kanë norma të vonuara të vaksinave, përfshirë Florida, Teksas, Misisipi dhe Luiziana. Në nivel kombëtar, rreth 65 përqind e njerëzve 12 vjeç e lart që kanë të drejtë të marrin vaksinën janë vaksinuar plotësisht.

Me një shumicë të vogël të popullsisë të vaksinuar plotësisht, shkalla e vdekjes është ulur ndjeshëm në krahasim me normën e vdekjeve gjatë rritjeve të mëparshme të virusit, kur vaksina ishte e padisponueshme.

Të ngjashme