Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar tentimet e Rusisë për të lehtësuar sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë Veriore, teksa zyrtarë rusë kanë thënë se një vendim i tillë është menduar ashtu që të dërgojnë ndihmë humanitare në këtë shtet për t’i ndihmuar kombit që po përballet me varfëri.
Mirëpo ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley ka akuzuar më 8 nëntor Rusinë për përpjekje të heqjes së sanksioneve në sektorin bankar verikorean me arsyetimin e “humanitetit” dhe është zotuar të ndalojë Moskën në këtë aspekt.
“Ata janë duke kërkuar heqje të kufizimeve bankare”, ka thënë Haley pasi një takimi me dyer të mbyllura në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Pra, tani e dimë cila është agjenda e tyre. Ne e dimë saktësisht se çfarë po synojnë të bëjnë dhe ne nuk do të lejojmë të ndodhë ajo”, ka thënë Haley.
“Ata flasin shumë rreth asaj se sa janë të shqetësuar për situatën humanitare në Korenë Veriore, mirëpo e vërteta gjithmonë del në fund”, ka thënë ajo.
Haley ka akuzuar Rusinë edhe për “mashtrim” dhe moszbatim të sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Sigurimit vitin e kaluar.
Kina dhe Rusia kanë kërkuar publikisht lehtësim të kufizimeve në Korenë Veriore dhe u kanë kërkuar shteteve të kenë parasysh gatishërinë që ka treguar Koreja në negociata me Shtetet e Bashkuara për të larguar armët bërthamore nga Gadishulli Korean.
Mirëpo Britania dhe Franca kanë mbështetur SHBA-në, duke thënë se sanksionet duhet të vazhdojnë të zbatohen derisa Koreja Veriore të fillojë të veprojë në procesin e denulearizimit.
Haley madje ka thënë se Koreja e Veriore ka anuluar takimet që ishte planifikuar të realizoheshin këtë javë në mes të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe zyrtarëve verikorenë “sepse ata nuk kanë qenë gati” duke thënë se pret që takimet të riorganizohen sërish.
Përndryshe sipas raporteve të OKB-së, rreth 10.3 milionë banorë në Korenë Veriore apo rreth 41 për qind e popullsisë përballet me varfëri.