Grupe civilësh të armatosur, në SHBA, i kanë interpretuar komentet e presidentit amerikan, kundër karvanit të emigrantëve, si thirrje për t’i dalë zot vendit nga pushtimi i të huajve.
Ata kanë nisur të furnizohen me municione, tenda, dronë për pamje nga lart, dhe po thurin plane që të krijojnë karvanin e tyre si kundërpërgjigje ndaj emigrantëve, njofton Uashington Post.
Trump tha se mes tyre po udhëtojnë edhe njerëz të panjohur nga Lindja e Mesme, luftëtarë shumë të ashpër dhe kriminelë shumë të rrezikshëm, të fshehur mes grave e fëmijëve.
Shannon McGauley, nga Dallasi i Teksasit, president i një grupi civilësh të quajtur “Texas Minuteman”, tha se grupi i tyre ka vërtetuar më parë se janë të vlefshëm për ta mbrojtur kufirin, dhe se do ta vërtetojnë prapë.
“Nuk them dot me saktësi se sa veta do të jemi, por telefoni im nuk ka pushuar. Janë shumë bashkëshortë e njerëz që telefonojnë që nga shtete të largëta, si Oregoni e Indiana, e madje edhe nga Kanadaja, të cilët kanë ofruar të bashkohen me ne”, thotë ai.
Por mundësia e pranive të grupeve të armatosura civile përkrah ushtrisë në kufi ka ngjallur alarm midis ushtarakëve, dhe jo vetëm. Ata mendojnë se mund të shfaqen rreth 200 persona të tillë.
McGauley, nga ana e tij, këmbëngul se ata thjesht do të informojnë autoritetet për çdo shkelje dhe se do të ndjekin të gjitha udhëzimet nga ushtria. Por prapë, shumë pronarë tokash në zonën e kufirit janë më shumë të shqetësuar se këto grupe civilësh të armatosur.
Majkëll Vickers, një veteriner e fermer që jeton në kufi, tha se nuk do t’i lejojë kurrsesi grupet civile pranë pronës së tij: “Janë një tufë mbyurravecësh të zhurmshëm, që nuk kanë asgjë të besueshme”, thtoë ai.
Edhe pse grupet e “vigjilentëve” refuzojnë ta quajnë veten “milici”, ata premtojnë se do të kenë motorë me katër rrota për terrene të vështira, syza për të parë në errësirë dhe dronë për të kontrolluar çdo terren.
Mbërritja e karvanit ka shqetësuar shumë fermerë në zonën e kufirit. Ata e dinë që emigrantët që kalojnë kufirin, herë pas here futen nëpër kasollat e fermave të tyre, pa leje. Numri i madh i karvanit i bën që të jenë edhe më të shqetësuar. Por askush nuk do civilë të armatosur duke marrë përsipër diçka që duhet ta bëjnë autoritetet.