Derisa Vetëvendosja nuk po e praon asesi vendimin e Kushtetuese, duke paralajmëruar edhe protesta, Bashkësia ndërkombëtare ka përshëndetur këtë vendim, e cila ka vendosur në favor të presidentit Hashim Thaçi lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë. Me ç’rast zyrtarë nga Amerika dhe Europa kanë kërkuar që të respektpohet në plotni ky vendim, shkruan Gazeta Metro.
Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se duhet duhet të respektohen ky vendim.
“Gjykata Kushtetuese foli. Për të garantuar paqen dhe stabilitetin, dhe për të ruajtur integritetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë – të gjithë duhet ta respektojnë vendimin e Gjykatës”, ka thënë Grenell. Ndërsa, pas tij kanë reaguar edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA’ve, duke përkrahur këtë deklaratë të Grenellit.
“Qëndrimi i të Dërguarit Special Richard Grenell në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje të gjitha palëve të respektojnë vendimin e Gjykatës.”, thotë konstatimi i NSC.
Në anë tjetër, edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka lëshuar një njoftim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet së cilës ka kërkuar nga të gjithë politikanët kosovarë të respektojnë atë vendim, shkruan Gazeta Metro.
BE u bën thirrje të gjithë liderëve politikë që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe ta shprehin mospajtimin e tyre ekskluzivisht në mënyrë paqësore dhe demokratike.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si parim kyç i sundimit të ligjit, ne ftojmë të gjithë aktorët politikë të Kosovës që ta zbatojnë atë. Tani i takon Kuvendit që t’i ndërmerr hapat e nevojshëm kushtetues, në përputhje me vendimin e Gjykatës”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë, që Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim në favor të dekretit të Thaçit për mandatimin e Avdullah Hoti për formimin e qeverisë së re pas rrëzimit të qeverisë Kurti me mocionin e mosbesimit.