SHBA dhe Rusia rikthehen në tavolinën e bisedimeve për misionet diplomatike

Prishtinë | 09 Pri 2025 | 20:31 | Nga Ekonomia Online

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të rinisin bisedimet për rihapjen e misioneve diplomatike të dy shteteve në Stamboll më 10 prill.

Bisedimet do të përqendrohen në operacionet e ambasadave dhe jo në çështje politike apo të sigurisë.

Kështu ka njoftuar zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.

Ajo theksoi se lufta në Ukrainë “absolutisht nuk do të jetë” temë e diskutimeve, dhe bisedimet do të fokusohem vetëm në mënyrën e funksionimit të ambasadave, me mundësinë e normalizimit të raporteve diplomatike kur të ketë paqe mes Rusisë dhe Ukrainës.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, njoftoi se delegacioni rus do të udhëhiqet nga ambasadori rus në SHBA, Aleksandr Darchiyev, ndërsa delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga zëvendësndihmës sekretarja e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Sonata Coulter.

Ky do të jetë raundi i dytë i bisedimeve, pas një takimi të ngjashëm më 27 shkurt në Stamboll, që të dyja palët e cilësuan si të frytshëm.

Takimi i parë ka përcaktuar hapa për normalizimin e funksionimit të misioneve diplomatike, ndërsa Rusia ka propozuar rinovimin e fluturimeve direkte midis dy vendeve.

Të ngjashme