Shtetet e Bashkuara filluan të mërkurën vaksinimin e fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç për COVID-19, pas miratimit përfundimtar të vaksinës Pfizer nga zyrtarët amerikanë.
Dr. Rochelle Walensky, drejtorja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e dha miratimin përfundimtar të martën në mbrëmje.
“Sot është një ditë monumentale në rrjedhën e kësaj pandemie”, tha Dr. Walensky.
Ajo tha se ndërsa rreziku për raste të rënda dhe vdekjes është më i ulët tek fëmijët e vegjël sesa tek të rriturit, ai është real – dhe se COVID-19 ka pasur një ndikim të thellë social, të shëndetit mendor dhe arsimor tek fëmijët, përfshirë hendekun e pabarazive në arsim.
Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi një grup këshillimor ekspertësh i CDC’së vendosi unanimisht që vaksinat e Pfizer t’u jepeshin 28 milionë fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç.
Miliona doza të prodhuara nga Pfizer dhe partneri i saj BioNTech u janë dërguar tashmë shteteve, mjekëve dhe farmacive. Ato janë më të vogla, sa një e treta e atyre që përdoren për adoleshentët dhe të rriturit.