SHBA i përgjigjet Iranit duke rritur prezencën ushtarake në Lindje të Mesme

Prishtinë | 06 Maj 2019 | 08:58 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë pajisje ushtarake shtesë në Lindje të Mesme duke përçuar “mesazh të qartë” për Iranin, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

“Në përgjigje të një numri të paralajmërimeve shqetësuese, Shtetet e bashkuara do të pozicionojnë një anije transportuese dhe një taskë-forcë për bomba në rajonin e Komandës Qendrore amerikane”, ka thënë Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton përmes një deklarate.

Bolton ka thënë se angazhimi ushtarak në këtë zonë, që përfshin Lindjen e Mesme, ka për qëllim të dërgojë “një mesazh të qartë për regjimin iranian se çdo sulm ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara apo të ndonjë prej aleatëve tanë, do të përballet me një forcë të ashpër”.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke kërkuar “nisje të luftës me regjimin iranian”, mirëpo janë “plotësisht të përgatitura për secilin sulm, të ndonjë rrjeti, Gardës Revolucionare të Iranit, apo forcave tjera iraniane”.

Në deklaratë nuk është përmendur nëse dërgimi i këtyre pajisjeve nënkupton se ky vendim do të nisë së zbatuari menjëherë, mirëpo vjen në kohën kur Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Qeverisë iraniane pasi synon t’iu japë fund atyre që i cilëson si aktivitete “të dëmshme” në rajon.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka njoftuar së fundmi se ka vendosur që të mos vazhdojë masat lehtësuese për disa vende aleate, çka nënkupton se nëse ato vazhdojnë të blejnë naftën iraniane, rrezikojnë të përballen me sanksionet e SHBA-së.

Kjo administratë po ashtu ka shpallur Gardën Revolucionare të Iranit, si organizatë terroriste, duke shënuar herën e parë që Uashingtoni ka futur në këtë listë një institucion të huaj shtetëror.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr tashmë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015, dhe më pas ka rivendosur sanksionet që shënjestrojnë naftën iraniane, transportin dhe sektorin bankar.

Trump ka konsideruar se marrëveshja ka pasur shumë mangësi, pasi nuk ka përfshirë programin e raketave balistike të Iranit dhe mbështetjen e këtij shteti për disa rrjete në Siri, Jemen, Liban dhe Irak.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme