Administrata e presidentit të ShBA-së, Donald Trump, pritet që javën e ardhshme të vërtetojë se Irani është duke respektuar marrëveshjen bërthamore që ka me fuqitë botërore, pavarësisht kritikave të Trump-it për këtë marrëveshje, kanë raportuar mediet amerikane.
Departamentit të Shtetit i është kërkuar që të informojë Kongresin më 17 korrik, nëse Irani vazhdon të veprojë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2015.
Kjo marrëveshje kërkon nga Teherani të frenojë aktivitetet e tij nukleare në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Trump pati premtuar gjatë fushatës së tij presidenciale se do të prishë atë që ai e ka cilësuar si “marrëveshjen më të keqe të bërë ndonjëherë”.
Mirëpo, gjatë detyrës së tij si president, administrata e tij ka deklaruar se përveç Iranit, edhe SHBA duhet të respektojë këtë marrëveshje.
Vërtetimi për qëndrueshmërinë e Iranit ndaj marrëveshjes pritet të bëhet javën e ardhshme, ndonëse AP dhe Reuters kanë cituar zyrtarë anonimë, të kenë thënë se Trump po vazhdon të rishikojë politikat ndaj Iranit dhe se ka mundësi të ndryshojë mendje.
ShBA ka hequr sanksionet ndaj Iranit për armë bërthamore, mirëpo vazhdon të sanksionojë këtë vend për programin e tij të raketave balistike dhe mbështetje të grupeve militante kundër Izraelit.