Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar sulmet izraelite ndaj një baze ajrore siriane të kryera herët të martën.
“Jemi thellësisht të shqetësuar se sulmet ajrore të konfirmuara izraelite ndaj bazës ajrore Abu al-Duhur përbëjnë një përshkallëzim të panevojshëm, i cili nuk kontribuon në stabilitetin rajonal”, tha i dërguari i administratës Trump për Sirinë, Tom Barrack.
Ai shtoi se Uashingtoni po u bënte thirrje të gjitha palëve që t’i jepnin përparësi “dialogut të arsyeshëm” në vend të incidenteve të mëtejshme ushtarake, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Izraeli nuk ka konfirmuar se ka kryer sulmet ndaj bazës ajrore, e cila ndodhet pranë Idlibit, në veriperëndim të Sirisë, dhe ka pak avionë në gjendje për të fluturuar.
Barrack tha në X se qeveria në Damask nuk kishte mbajtur as qëndrim agresiv dhe as forca të ndërmjetme (proxy). “Përkundrazi, ajo ka shprehur vazhdimisht preferencën për shtensionim me Izraelin.”
Ministria e Jashtme e Sirisë i përshkroi sulmet si “një agresion të pajustifikuar, shkelje flagrante të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë dhe një përshkallëzim të rrezikshëm që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin në rajon”.
Ajo tha se Izraeli po përpiqej ta “çonte rajonin drejt tensioneve dhe paqëndrueshmërisë së mëtejshme.”
Barrack ka ndërmjetësuar bisedime të drejtpërdrejta mes Sirisë dhe Izraelit, në përpjekje për të siguruar respektimin e një armëpushimi të brishtë, veçanërisht në jug të Sirisë, ku forcat izraelite vazhdojnë të mbajnë të pushtuara lartësi strategjike në territorin sirian.
Dy palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje për një zgjidhje paqeje më afatgjatë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka lavdëruar liderin e Sirisë, Ahmad al-Sharaa, i cili udhëhoqi kryengritjen që rrëzoi nga pushteti presidentin e atëhershëm Bashar al-Assad, pas 18 muajsh.