Shtetet e Bashkuara do të vendosin 1,000 trupa shtesë në Poloni, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një konference për media me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, në Uashington.
Trump tha se forca do të merret nga kontingjenti amerikan në Gjermani që përbëhet prej 52,000 ushtarësh dhe se do të përfshijë dronë dhe pajisje të tjera ushtarake.
Sidoqoftë, Trump, më herët, ka folur për mundësinë e një baze të përhershme amerikane në Poloni.
Viteve të fundit, rreth 4,500 trupa amerikane janë vendosur në Poloni, me sistem rotativ, në përgjigje të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.
Moska, në vitin 2014, ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë. Ajo po ashtu i mbështet ushtarakisht separtistët që luftojnë në lindje të Ukrainës.
NATO-ja veçmas ka vendosur rreth 1,200 trupa në Poloni në vitin 2017, si pjesë e përpjekjeve të saj për të penguar ndërhyrjen e Rusisë në Evropën lindore.
Rusia, e cila ka pushtuar një pjesë të Polonisë kur ka qenë nën carët, “po tregon përsëri fytyrën e saj perandorake” me veprimet e saj në Ukrainë, tha presidenti polak, Duda.