Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkëmbyer të burgosur. Ky njoftim vjen në kohën kur tensionet ndërmjet dy shteteve janë të mëdha.
Xiyue Wang, student i arrestuar nga Irani, është përfshirë në këtë shkëmbim. Po ashtu, SHBA-ja ka liruar shkencëtarin iranian, Massoud Soleimani.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump ka deklaruar se Wang është i lirë dhe se ai “do të rikthehet në Shtetet e Bashkuara”.
Më herë, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, njofti në Twitter se shkëmbimi i të burgosurve do të ndodhë së shpejti.
“I lumtur që profesori Massoud Soleimani dhe Xiyue Wang do të ribashkohen së shpejti me familjet e tyre. Faleminderit të gjithë të përfshirëve, posaçërisht Qeverisë zvicerane”, shkroi Zarif.
Ambasada zvicerane në Teheran përkujdeset për interesat amerikane në Iran, pasi ambasada amerikane në këtë shtet është e mbyllur që prej vitit 1979.
Media shtetërore iraniane, IRNA, ka raportuar se Soleimani ndodhej në Zvicër, së bashku me disa zyrtarë iranianë.
Xiyue Wang, shtetas amerikan dhe student i diplomuar në Universitetin Princeton, ishte duke kryer kërkime për tezën e diplomës së tij në Iran më 2016, kur u arrestua dhe u akuzua nga Irani për “spiunim”, një pretendim që familja e tij, por edhe universiteti Princeton e mohojnë. Ai më pas u dënua për spiunazh me 10 vjet burgim.
Ndërkaq, Massoud Soleimani, ekspert i qelizave, ishte arrestuar në Çikago në tetorin e vitit 2018, nën akuza se ka tentuar të eksportojë paligjshëm materiale biologjike në Iran, që është në kundërshtim me sanksionet që SHBA-ja ka vendosur kundër Iranit, për shkak të programit të tij bërthamor.
Tensionet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit janë rritur që prej se president Trump tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore e Iranit me fuqitë botërore dhe rivendosi sanksionet e ashpra ekonomike ndaj Republikës Islamike.