Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje që synon lehtësimin e një lufte tregtare që ka tronditur tregjet dhe ka goditur ekonominë globale.
Duke folur në Uashington, presidenti amerikan Donald Trump tha se pakti do të ishte “transformues” për ekonominë e ShBA-së.
Zyrtarët e lartë kinezë e quajtën atë një marrëveshje të “fitores” që do të ndihmonte në forcimin e marrëdhënieve më të mira midis dy vendeve.
Kina është zotuar të rrisë importet e ShBA-së me 200 miliardë dollarë, mbi nivelet e vitit 2017, dhe të forcojë rregullat e pronësisë intelektuale.
Në këmbim, ShBA-ja ka rënë dakord të përgjysmojë disa nga tarifat e reja që ka vendosur për produktet kineze.
Presidenti Trump ka thënë në fund të vitit të kaluar, se ai pas nënshkrimit të marrëvëshjes së quajtur “Faza e Parë”, do të udhëtojë në Pekin për të filluar bisedimet për fazën tjetër të marrëveshjes.
Shtetet e Bashkuara filluan një luftë tregtare kundër Pekinit, një vit e gjysmë më parë, pasi e akuzuan për praktika të padrejta të tregtisë, të tilla si vjedhja e pronës intelektuale amerikane dhe subvencionet shtetërore të cilat i përfitojnë kompanitë kineze.