Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësuesit e talibanëve do të takohen në Katar për të vazhduar bisedimet që kanë për qëllim përfundimin e luftës 17 vjeçare në Afganistan.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid tha se rrethi i gjashtë i bisedimeve do të fillojë më 1 Maj në Katar.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se përfaqësuesi i tyre në këto bisedime, Zalmay Khalilzad do të jetë në Katar këtë muaj për të takuar negociatorët talibanë.
Talibanët kanë refuzuar të takojnë qeverinë afgane duke e quajtur atë “kukull” të perëndimit si dhe kanë insistuar për tërheqjen e gjitha forcave të huaja nga Afganistani.
Gjatë një vizitë në Afganistan më 28 prill, përfaqësuesi i SHBA-së, Khalilzad ka thënë se talibanët duhet të ndryshojnë kursin dhe të pajtohen për armëpushim nëse dëshirojnë arritjen e paqes.
“Nëse talibanët insistojnë që t’i kthehen sistemit në të cilën janë mësuar ta kenë, kjo nënkupton vazhdimin e luftës dhe jo arritjen e paqes”, ka thënë Klalilzad.
Javën e kaluar, Shtetet e Bahkuara, Rusia dhe Kina thanë në një deklaratë të përbashkët se janë pajtuar për planet e tërheqjes së forcave të huaja nga Afganistani dhe kërkojnë një proces gjithëpërfshirës paqeje të udhëhequr nga afganët.