Shtetet e Bashkuara do të investojnë afro 3 miliardë dollarë në zinxhirin e vaksinave kundër koronavirusit. Paratë shtesë, të cilat do të shpërndahen në javët e ardhshme, do të fokusohen në kompanitë që japin kontribute për prodhimin e vaksinave, si dhe në firmat që mbushin dhe paketojnë vaksinat, tha këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për koronavirus, Jeffrey Zients.
“Ky investim i ri do të zgjerojë më tej kapacitetin prodhues të vaksinave vendase, duke i ndihmuar Shtetet e Bashkuara të përmbushin zotimin e tyre, për të qenë arsenal i vaksinave për botën”, tha Zients.
Shtetet e Bashkuara kanë doza të mjaftueshme vaksinash për popullatën e tyre dhe po bëjnë përpjekje të mëdha që të pavaksinuarit të vaksinohen, pasi varianti Delta i koronavirusit është duke shkaktuar rritje të numrit të rasteve.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu planifikojnë të japin qindra miliona doza në vendet e tjera këtë vit dhe vitin e ardhshëm.
Deri më tani, SHBA-ja ka dërguar më shumë se 130 milionë doza në dhjetëra vende.
SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga koronavirusi. Mbi 39 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 643,000 kanë humbur jetën.
Në të gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 219 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 4.5 milionë kanë vdekur.