SHBA-ja duhet të shtojë angazhimin në Ballkan, thotë ish-presidentja kroate

Prishtinë | 18 Shk 2021 | 08:58 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara duhet të shtojnë angazhimin e tyre në Ballkanin Perëndimor nëse duan t’i bëjnë ballë ndikimit kinez dhe rus në rajon, tha ish presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq. Ajo ka qenë presidente e Kroacisë nga viti 2015 deri më 2020.

Gjatë një diskutimi të organizuar nga Instituti Hoover i Universitetit të Stanfordit, Kitaroviq, kritikoi edhe Bashkimin Evropian për vonesa në procesin e integrimit të këtyre vendeve.

“Nëse vërtetë dëshironi që të parandaloni të tjerët nga ndërhyrja, atëherë duhet që vetë të përfshiheni”, tha Grabar-Kitaroviq, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara.

Ajo shprehu zhgënjimin për siç tha “një lloj mungese të interesimit për rajonin e Ballkanit” nga administratat e presidentit, Donald Trump dhe paraardhësit të tij Barack Obama.

Uashingtoni dhe Brukseli kanë bërë përpjekje për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO në mënyrë që të sigurojnë stabilitet në një rajonin që u përfshi në luftra etnike në vitet 1990.

Grabar-Kitaroviq tha se ky proces ka qenë “shumë i ngadaltë” dhe se “po krijon një hapësirë që po mbushet nga forcat e treta”, një referencë e mundshme për Kinën dhe Rusinë.

Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë shprehur shqetësime në lidhje me investimet nga Pekini në Ballkanin Perëndimor si dhe fushatat e dezinformimit të Kremlinit si dhe veprimtaritë e ndikimit politik në rajon.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme