Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës mes tyre, i tha të martën agjencisë “Reuters” një zyrtar i lartë iranian, përderisa Katari si vend ndërmjetës i ka shtuar përpjekjet për t’i tejkaluar dallimet dhe për të shmangur një përshkallëzim të ri pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në ShBA.
Gjatë natës së kaluar, Shtetet e Bashkuara kryen sulme “mbrojtëse” ndaj Ishullit Qeshm të Iranit, duke vënë në shënjestër raketa tokë – ajër që përdoren kundër aseteve amerikane, tha një zyrtar amerikan. Një zyrtar tjetër tha se sulmet u dukën të kufizuara dhe nuk sinjalizuan rikthim te operacionet e mëdha luftarake.
Të martën, presidenti amerikan, Donald Trump, përsëri kërcënoi me veprime të mundshme ushtarake, duke thënë: “Nuk po e shqyrtoj… vrasjen e shumë njerëzve. Nëse do të na duhet, do të na duhet.”
Katari i ka shtuar përpjekjet për ndërmjetësim në kohën e frikës se konflikti i nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në shkurt mund të përshkallëzohet përsëri pas zgjedhjeve amerikane të së martës.
“Ndërmjetësit janë duke punuar fort që t’i ngushtojnë dallimet mes Teheranit dhe Uashingtonit” – tha zyrtari i lartë iranian, duke folur në kushte anonimiteti. Ndërmjetësit nga Katari udhëtuan në Teheran të hënën në mbrëmje për bisedime rreth një versioni të një drafti të marrëveshjes ShBA – Iran që është diskutuar gjatë tetë ditëve të fundit.
“Kushtet e Teheranit duhet të përmbushen, nëse ShBA-ja e do Hormuzin të rihapur” – paralajmëroi zyrtari iranian, duke iu referuar kërkesave të Iranit, përfshirë heqjen e sanksioneve ndaj naftës, përfundimin e bllokadës detare amerikane dhe zhbllokimin e fondeve të ngrira iraniane.
Mohsen Rezaei, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, tha më vonë se përgjigjja e amerikanëve ndaj kërkesave iraniane “nuk ishte bindëse”, duke shtuar se Uashingtoni “duhet t’i adresojë plotësisht dhe haptas shtatë kushtet e Iranit dhe të veprojë sipas tyre”.
“Vetëm në këtë rast do të rihapet Ngushtica e Hormuzit” – shkroi ai në rrjetin X.