Administra e Ushqimit dhe Ilaçeve në Shtetet e Bashkuara e ka miratuar vaksinën e kompanisë “Pfizer” për fëmijët e moshave 5 deri 11-vjeçare, duke e bërë vaksinën e parë kundër Covid-19 për fëmijë kaq të njomë në ShBA.
Vaksina do të jetë menjëherë e qasshme për këtë grupmoshë. Sidoqoftë, Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve duhet të këshillojnë se si do t’u jepet vaksina këtyre fëmijëve. Vendimi do të merret pasi një grup i këshilltarëve të jashtëm ta diskutojnë planin të martën.
Kompania “Pfizer” tha se të shtunën do ta fillojë dërgimin e dozave për fëmijë nëpër barantore, në zyra të pediatërve dhe në vende tjera ku mund të jepen vaksinat, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Vendimi i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve pritet që vaksinat t’i bëjë të qasshme për 28 milionë fëmijë amerikanë, shumë prej të cilëve janë kthyer në shkollë për mësimnxënie me prani fizike.
Vetëm një numër i vogël i shteteve tjera, përfshirë Kinën, Kubën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe deri më tani kanë miratuar përdorim të vaksinave kundër Covid-19 për fëmijët e kësaj grupmoshe ose edhe më të vegjël.
Autoritetet amerikane e kanë autorizuar përdorimin e vetëm 10 mikrogramëve të vaksinës për fëmijët 5-11 vjeç, shumë më pak se 30 mikrogramët e autorizuar për fëmijët 12 vjeç e sipër.