ShBA-ja ekzekuton një të burgosur gati 30 vite pasi e shpalli fajtor

Prishtinë | 22 Tet 2021 | 10:32 | Nga Ekonomia Online

I dënuari me vdekje nga Alabama e ShBA-së, Willie B. Smith, u ekzekutua të enjten në mbrëmje, njoftoi zyra e prokurorit të përgjithshëm të këtij shteti, pasi Gjykata Supreme refuzoi një ankesë.

Smith u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës në orën 9 e 47 minuta të mbrëmjes sipas kohës lokale në Atmore, Alabama, thuhet në njoftim.

Ai ishte shpallur fajtor për rrëmbimin e 22-vjeçares Sharma Ruth Johsnon, duke e detyruar atë që të futej në bagazhin e veturës së saj që i ishte vjedhur dhe duke e qëlluar në mënyrë fatale në vitin 1991. Hetuesit thonë se Smith më pas ia kishte vënë flakën veturës me trupin e viktimës brenda.

“Familja e Sharma Johnson-it u detyrua që të priste 29 vjet, 11 muaj e 25 ditë për ta parë zbatimin e vrasësit të Sharma-s. Më në fund, ndëshkimit mizor e të pazakontë që u është vënë mbi supe – një mohim i drejtësisë i gjatë me dekada – i ka ardhur fundi”, tha prokurori i përgjithshëm, Steve Marshall.

Në shkurt, Gjykata Supreme e kishte bllokuar ekzekutimin e këtij personi me arsyetimin se Smith donte që i pranishëm në dhomën e ekzekutimit të ishte edhe këshilltari shpirtëror. Alabama kishte kërkuar nga gjykatësit që ekzekutimi të kryhej pa praninë e këshilltarit shpirtëror.

Guvernatorja e Alabamës, Kay Ivey, pas ekzekutimit doli me një deklaratë. “Dëshmitë në këtë rast ishin dërrmuese dhe drejtësia është shërbyer në mënyrën e drejtë. Zbatimi i dënimit për z.Smith e dërgon mesazhin se shteti i Alabamës nuk do të tolerojë këso aktesh vrasëse”, thuhet në deklaratën e saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme