Shtetet e Bashkuara hoqën ndalimin e kompjuterëve laptopë në kabinën e fluturimeve direkte nga Abu Dabi – kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe.
ShBA-ja mori vendimin pasi kompania ajrore e Abu Dabit, Etihad, nisi me zbatimin e masave më të rrepta të sigurisë.
Ndalimi ka hyrë në fuqi në muajin mars për fluturimet direkte nga dhjetë aeroporte në Lindjen e Mesme. Zyrtarët amerikanë kanë qenë të shqetësuar për mundësinë që terroristët të fshehin bomba brenda kompjuterëve.
Etihad, i cili drejton 45 fluturime javore midis Abu Dabit dhe ShBA-së, e mirëpriti vendimin e ri.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan për Siguri Kombëtare e përgëzoi Abu Dabin për vendosjen e, siç tha, procedurave të reja dhe tha se ato duhet të shërbejnë si model.
Nuk u bë e qartë se çfarë përfshijnë procedurat e reja. Ndalimi i laptopëve vazhdon të vlejë për fluturimet direkte në SHBA nga Jordania, Kuvajti, Egjipti, Turqia, Arabia Saudite, Maroku, Katari dhe Dubai.