Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk shohin ndonjë përfitim të Kosovës nga vendosja e taksës prej 100 për qind për mallrat serbe. Shteti që synon t’i japë vulë marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, nëpërmjet përfaqësisë diplomatike në Prishtinë, ka kërkuar nga Qeveria pezullimin e vendimit për taksën, në mënyrë që t’i jepet shans arritjes së marrëveshjes.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka listuar dy interesat thelbësore në fazën e ardhshme, për të cilat kanë thënë se duhet të jenë prioritet për Kosovën, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej lidershipit të Kosovës në mënyrë të përsëritur që të pezullojë menjëherë taksën për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Siç kemi thënë, ne nuk shohim ndonjë përfitim të Kosovës nga këto masa. Ne fuqishëm inkurajojmë ripërtëritjen e fokusimit në qëllimet thelbësore të Kosovës- të ardhmen evropiane dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane, dërguar “Kohës Ditore”.
Gazeta ka pyetur rreth përgatitjeve që po bëhen për arritjen e marrëveshjes, pas takimit të paraportuar mes presidentit Thaçi dhe ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell, njëri nga më të besuarit e Trumpit. Por, ka munguar përgjigjja e tyre.
Ky qëndrim i prerë i administratës amerikane është përmbledhur në tetë pika kryesore:
1. “Masat tarifore janë marrë pa asnjë konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
2. “Shprehim zhgënjimin e thellë që pas letrës së Presidentit Trump drejtuar Presidentit Thaçi, jo vetëm që nuk ka pasur reflektim pozitiv nga ana e Qeverisë së Kosovës, por janë shtuar produktet të cilat i nënshtrohen tarifës“.
3. “Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të tarifës. E njëjta tarifë mund të rivendoset në rast se dështon marrëveshja me Serbinë“.
4. “Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Kosova për momentin e bart barrën e rrezikimit të dështimit të dialogut“.
5. “Nëse tarifa nuk suspendohet urgjentisht, SHBA-të do të suspendojnë asistencën në fushën e sigurisë, pra mbështetjen për FSK“.
6. “Suksesi dhe arritja e marrëveshjes nuk ndërlidhen me rolin e znj. Federica Mogherini dhe BE-në. Arritja e marrëveshjes është interes strategjik i SHBA-ve, prandaj është e papranueshme për ne vënia në pikëpyetje e këtij qëllimi strategjik nga ana e veprimeve të papergjegjshme të liderëve kosovarë”.
7. “Në rast se marrëveshja dështon për shkak të Kosovës, barrën e përgjegjësisë dhe pasojat do t’i bartë vetë Kosova dhe individët përgjegjës për këtë dështim“.
8. “Kosova me sjelljet e saja të papërgjegjshme po e rrezikon seriozisht miqësinë me SHBA-të”.