Transformimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura (FAK) duhet të bëhet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.
Kështu ka thënë për “Kohën Ditore” zëdhënësja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Schohn.
Në kohën kur PDK-ja dhe LDK-ja kanë shpeshtuar tubimet partiake, ku shitet patriotizëm edhe me ushtrinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për angazhim të vërtetë me synim të binden komunitetet pakicë që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
Përkundër iniciativës ligjore për ushtrinë, e cila tashmë ka marrë start, ShBA-ja vazhdon t’i qëndrojë pas deklarimit se ushtria duhet të themelohet vetëm nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Zyrtarja e lartë e Ambasadës amerikane askund nuk ka përmendur ligjin, si opsion alternativ nëse ushtria nuk mund të bëhet me Kushtetutë.(Koha Ditore)