Shtetet e Bashkuara i kanë garantuar Irakut edhe një lehtësim 90-ditor, duke i lejuar kështu të importojë energji elektrike nga Teherani, transmeton AP. Sektori i energjisë në Irak është duke u përballur me probleme të shumta dhe nuk i përmbush kërkesat e brendshme.
Sanksionet amerikane ndaj Iranit kanë filluar së aplikuari në muajin nëntor. Vendimi për goditje të Iranit me sanksione ka ardhur pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka tërhequr SHBA-në nga pakti bërthamor që ka nënshkruar Teherani me fuqitë botërore.
Kjo marrëveshje parasheh lirimin e Iranit nga sanksionet Perëndimore në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor. Fillimisht SHBA-ja i ka garantuar Irakut lehtësim prej 45 ditëve, ashtu që t’i lejojë blerjen e energjisë elektrike dhe gazit nga vendi i tij fqinj.
Të premten, Departamenti amerikan i Shtetit i ka thënë agjencisë së lajmeve, The Associated Press se lehtësimi për importimin e energjisë elektrike do t’i zgjatet Irakut për 90 ditë. Tetë shtete, duke përfshirë, Kinën, Indinë dhe Japoninë kanë siguruar lehtësime për periudhë gjashtëmujore, derisa ato të ndalojnë plotësisht importimin e energjisë elektrike nga Irani.