Zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në karantinë qindra punëtorë dhe studentë të lidhur me dy universitete në Llos Angjelles, pasi pretendohet se ata i janë ekspozuar sëmundjes së fruthit dhe nuk është verifikuar nëse kanë qenë të vaksinuar.
Personave, që dyshohet se janë prekur nga sëmundja, u është thënë të qëndrojnë vetëm në shtëpi dhe të lajmërojnë autoritetet nëse vërejnë ndonjë shenjë të sëmundjes.
Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se këta persona duhet të qëndrojnë në këto karantina për 48 orë, mirëpo disa prej tyre mund jenë aty edhe për kohë më të gjatë.
Ky hap ka ardhur pasi Shtetet e Bashkuara janë duke u përballur me numrin më të madh të personave të prekur nga kjo sëmundje, prej kur virusi ishte shpallur i eliminuar më 2000.
Sipas zyrtarëve, është raportuar për 700 raste të prekuara, në kohën kur prindërit janë duke kundërshtuar vaksinimin.
Sëmundja e fruthit konsiderohet e parandalueshme, mirëpo mund të vrasë fëmijët apo të shkaktojë pasoja për gjithë jetën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nisur një paralajmërim më 15 prill, duke thënë se numri i rasteve të prekura në botë me këtë virus gati është katërfishuar në tre muajt e parë të vitit 2019, në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë.
Po kjo Organizatë ka thënë se numri më i madh i personave të prekur është shënuar në Ukrainë, Gjeorgji, Kazakistan dhe Kirgizi, ashtu sikurse në Afrikë dhe Azi Juglindore.