Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në procesin e dialogut Kosovë-Serbi të nisur në vitin 2011, po shihet si e nevojshme.
Të dy këto fuqi kanë të njëjtin qëllim, arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve.
Drejtoresha ekzekutive e platformës “Civikos” Donika Emini, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ftesa për takim me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë ka më shumë peshë politike sesa Brukseli.
Sipas saj, ShBA-ja nuk do ta shtynë një proces 10 vjet siç ka vepruar unioni.
Emini ka shtuar se nëse kjo marrëveshje nëse nuk nënshkruhet, atëherë ShBA-ja për një kohë të gjatë do të largohet nga Ballkani.
“Nuk besoj që ShBA-ja ka me shty një proces 10 vite ashtu qysh është shty me BE-në një proces i cili filloj me një nivel teknik pastaj politik dhe pastaj u bllokua. Besoj që me rastin e thirrjes në ShBA vetë ftesa në Shtëpinë e Bardhë e ka edhe peshën politike shumë më të madhe se Brukseli dhe në anën tjetër nuk ftohen palët për të vazhduar një proces për një dekadë, por ftohen për t’i paraprirë një marrëveshje dhe besoj që janë disa pika në të cilat palët do të duhej të diskutonin dhe normalisht që do t’i paraprinë”.
“Nëse kjo marrëveshje nuk nënshkruhet atëherë besoj që edhe ShBA për një kohë të gjatë mund të largohet nga Ballkani siç është larguar në vitin 2009 kur e shpalli Kosovën të pavarur dhe dështoj me reformën kushtetuese në Bosnje”.
“Është e nevojshme me pas BE-në në dialog, për shkak se ne jemi ne Evropë dhe të dy vendet edhe Serbia edhe Kosova aspirojnë të anëtarësohen në BE andaj është e logjikshme që ta kemi edhe prezencën e Bashkimit Evropian në dialog përveç tjerash nëse e kemi si garantues SHBA-në edhe BE-në është shumë më mirë në fazën e implementimit të marrëveshjes, ka thënë Emini për EO.
Sipas Eminit, Kosova duhet të ketë kushte të caktuara në raport me BE-në për tu rikthyer në proces.
“Deri tash prej BE-së nuk kam parë qëndrim të qartë, qëndrimi i tyre është normalizimi i marrëdhënieve çka nënkupton normalizimi, a nënkupton njohje a çfarë detaje ka, përveç faktit që nuk i pëlqen shkëmbimi i territoreve si ide sepse vetëm për atë janë deklaruar, kurse nuk kanë treguar se kanë plan konkret në raport me Kosovën, andaj është mirë që si partner strategjik të mbahen në proces mirëpo do të duhej në si Kosovë të kemi kushte të caktuara në raport me BE-në për tu rikthyer në proces të tillë”.
Ndërsa për liberalizimin e vizave sipas saj në shtator mund të vendoset që Kosova të futet në agjendë nëse për një gjë të tillë pajtohen Franca dhe Gjermania.
“Në shtator edhe mund të vendoset që Kosova mund të shkojë në agjendë në rast se Gjermania dhe Franca normalisht pajtohen për një gjë të tillë, dhe deri tash nuk kemi pasur indikacione pozitive prej Francës, Gjermania është e luhatur, por që ka një shenjë pozitiviteti kurse për Francën është ende problem migrimi. Duhet ta kemi të qartë se ndoshta një hap pozitiv është që Gjermania e merr kryesimin dhe nëse Gjermania politikisht do me e shty këtë çështje mundet nëse nuk i pëlqen marrëveshja përfundimtare dhe nëse përjashtohet nga një marrëveshje e tillë ka gjasa që edhe Gjermania të heq dorë nga kjo punë”.
Visar Xhambazi, nga D4D, për Ekonomia Online ka thënë se BE-ja dhe ShBA-ja nuk janë në një linjë të njëjtë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
“Emërimi i Lajçakut dhe i Grenellit normalisht që i kanë dhënë një shtytje të madhe dialogut mirëpo problemi qëndron se BE-ja she SHBA-të nuk janë në një linjë të njëjtë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe mendoj që shumë gjëra do të sqarohen në Uashtington me 27 qershor sepse mendoj që do të kemi modalitetet e para dhe kushtet e para në mënyrë që të vazhdohet me dialogun mirëpo mendoj që pozicioni i ShBA-së dhe i BE-së dallon dhe nuk i di se çfarë mund të presim sepse e ardhmja është hipotetike mirëpo mendoj që do të jetë një mundësi shumë e mirë e rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi dhe mendoj që në tre muajt e ardhshëm së paku deri në muajin shtator do të kemi një informacion specifik nëse do të jemi afër një marrëveshje përfundimtare mes palëve”.
Mes tjerash ai ka thënë se tre muajt e ardhshëm do të jenë vendimtar, por thotë se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje atëherë procesi vetëm do të shtyhet.
“Momentin kur pala kosovare bënë lëshime sa i përket integritetit territorial dhe karakterit unitar të shtetit të Kosovës mendoj që ka mundësi për lëshime dhe kompromise të cilat mund të jenë të rrezikshme, mirëpo përderisa ne bazohemi në ligjet në fuqi mendoj që jemi të sigurt sepse tema e shkëmbimit të territoreve mendoj që e ka dëmtuar tepër shumë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe mendoj që çdo tematik e cila tenton të bëjë një instilacion të ri territorial do ta dëmtonte Kosovën, mirëpo përderisa nuk kemi ndonjë informacion të ri se çfarë do të diskutohet në Uashington nuk mund ta themi se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.
“Ajo që mund të them që tre muajt e ardhshëm deri në shtator do të jenë tepër vendimtar dhe në qoftë se nuk arrihet ndonjë marrëveshje deri në shtator atëherë mendoj që procesi vetëm sa do të shtyhet”.
Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Ai është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Kjo masë u zëvendësua me reciprocitet, por qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Në tetor të vitit 2019, ShBA-ja emëroi Richard Grenellin, si të dërguarin e tyre për bisedimet.