Administrata e Presidentit Donald Trump mund të rifillojë pjesërisht financimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Në një postim në Twitter, Presidenti Trump tha të shtunën se po shqyrton një numër propozimesh, duke përfshirë uljen e kontributit ndaj kësaj organizate deri në 10 për qind të asaj që Shtetet e Bashkuara kanë paguar deri tani.
Në një projekt-letër të cituar nga televizioni Fox News thuhet se administrata “do të pranojë të paguajë një kontribut të njëjtë me atë që Kina paguan” për organizatën.
Deri tani, kontributi i SHBA-së për OBSH-në ka qenë 400 milionë dollarë në vit.
Presidenti Trump e pezulloi financimin nga Shtetet e Bashkuara për Organizatën Botërore të Shëndetësisë më 14 prill, duke e akuzuar atë se promovoi “dezinformimin” e Kinës lidhur me shpërthimin e koronavirusit dhe duke thënë se administrata e tij do të niste një rishqyrtim të punës së organizatës.
Zyrtarët e OBSH-së i kanë mohuar akuzat ndërsa Kina këmbëngul se ka qenë transparente dhe e hapur.
Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.