Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballen me kërcënimin në rritje nga dhuna e ekstremistëve të brendshëm, persona këta të pakënaqur me disfatën zgjedhore të Donald Trumpit më 3 nëntor dhe të frymëzuar nga bastisja vdekjeprurëse në Capitol.
Një paralajmërim të tillë e ka bërë të mërkurën Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare, me rastin e publikimit të buletinit kombëtar për terrorizmin.
Buletini – në të cilin ceket se nuk ekziston aktualisht një kërcënim specifik dhe i besueshëm – është publikuar derisa Washingtoni vazhdon të jetë gjendje alarmi, pasi që turma të mbështetësve të Trumpit ia mësynë Capitolit më 6 janar derisa Kongresi po e certifikonte zyrtarisht fitoren e presidentit Joe Biden në zgjedhje. Me këtë rast, pesë persona mbetën të vdekur.
Duke alarmuar për sulme të tjera potenciale, Departamenti nuk spikat ndonjë kërcënim specifik, por aludon në “mjedisin kërcënues përreth SHBA-së”, për të cilin beson se “do të mbizotërojë” edhe pas marrjes së detyrës nga Bideni më 20 janar.
“Informacionet sugjerojnë se disa ekstremistë të dhunshëm të motivuar ideologjikisht që kundërshtojnë ta pranojnë autoritetin qeveritar dhe transicionin presidencial, mund të vazhdojnë mobilizimin për të nxitur apo ushtruar dhunë”, thuhet në buletin.
Aty nuk është përmendur ndonjë prirje e theksuar ideologjike apo politike, por ceken “individë të zemëruar dhe të ushqyer nga narrativa të rreme”.
Inaugurimi i Bidenit është mbajtur javën e shkuar nën masa të rrepta sigurie, me ç’rast më shumë së 20.000 trupa të Gardës Kombëtare ishin në detyrë. Zyrtarët kanë bërë të ditur se rreth 5.00 trupa do të vazhdojnë angazhimin në Washington edhe për disa javë të ardhshme, kur Trumpi do të ballafaqohet me impiçmentin e dytë në Senat për akuzën e nxitjes së kryengritjes.
Trumpi për më shumë se dy muaj ka përdorur një narrativë të paqenë se disfata e tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit ishte rezultat i mashtrimit të gjithmbarshëm me vota. Ai nxiti një turmë prej mijëra mbështetësish që “të luftonin” nëpërmjet një fjalimi ndezës të mbajtur para dhunës së 6 janarit.
Buletini i Departamentit të Sigurisë Kombëtare bën të ditur se ekstremistët e brendshëm dhe të dhunshëm janë motivuar nga një sërë çështjesh, përfshirë zemërimin ndaj kufizimeve për frenimin e COVID-19, rezultateve zgjedhore të 2020-s dhe përdorimit të forcës policore. Aty përmenden “tensionet e kahershme racore dhe etnike – përfshirë kundërshtimin e imigracionit”, si arsyet kryesore të nxitjes së dhunës së brendshme.
Grupet e supremacisë së bardhë kanë përbërë viteve të fundit “kërcënimin më ngulmues dhe më vdekjeprurës” të ekstremizmit të dhunshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë ushtruesi i detyrës së sekretarit të Sigurisë Kombëtare në kohën e Trumpit, Chad Wolf, gjatë një seance dëgjimore në Kongres në shtator.
Departamenti ka paralajmëruar se sulmi në Capitol mund t’i frymëzojë ekstremistët e brendshëm që t’i sulmojnë edhe zyrtarët e tjerë të zgjedhur apo ndërtesat qeveritare.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare rëndom lëshon vetëm një apo dy buletine këshilluese brenda një viti. Këto buletine zakonisht paralajmërojnë për kërcënimet nga grupet e huaja terroriste. I fundit i këtillë, i lëshuar nga administrata Trump janarin e shkuar, e kishte cilësuar Iranin si një shtet sponsorues të terrorizmit dhe e kishte kategorizuar Gardën Revolucionare të Iranit si një organizatë të huaj terroriste.
Presidenti Biden ka udhëzuar javën e kaluar administratën e tij që të përpilojë një vlerësim të plotë të rreziqeve prej terrorizmit të brendshëm. Vlerësimi do të kryhet nga zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në koordinim me FBI-në dhe Departamentin, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
“Sulmi i 6 janarit në Capitol, si dhe vdekjet tragjike dhe shkatërrimet që kanë ndodhur e shpërfaqin atë që e kemi ditur prej kohësh: se ngritja e ekstremizmit të brendshëm të dhunshëm është një kërcënim serioz dhe në rritje për sigurinë kombëtare. Administrata Biden do ta konfrontojë këtë kërcënim me të gjitha burimet dhe vendosmërinë e duhur”, ka thënë Psaki.