Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti një mori akuzash penale kundër gjigantit kinez të telekomit Huawei dhe kryeshefes së tij të financave, Meng Wanzhou.
Akuzat përfshijnë mashtrimin bankar, pengimin e drejtësisë dhe vjedhje të teknologjisë nga kompania amerikane T-Mobile.
Meng është arrestuar në Kanada muajin e kaluar, me kërkesë të SHBA-së, për, siç është thënë, shmangie të sanksioneve kundër Iranit.
Rasti i ka tensionuar shumë marrëdhëniet midis Kinës, Kanadasë dhe SHBA-së.
Edhe Meng, edhe Huawei i mohojnë akuzat.
Huawei është një nga ofruesit më të mëdhenj të pajisjeve dhe shërbimeve të telekomunikimit në botë.
Huawei e ka kaluar së voni kompaninë Apple për t’u bërë prodhuesi i dytë më i madh i smartfonëve, pas Samsung-ut.
Por, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë shprehur shqetësim se Qeveria e Kinës mund ta përdorë teknologjinë e Huawei-t për t’i zgjeruar kapacitetet e saj të spiunimit, edhe pse firma këmbëngul se nuk ka kontroll qeveritar.
Arrestimi i Meng, vajzës së themeluesit të Huawei-t, e ka zemëruar Kinën.