Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën të hënën zbatimin e sanksioneve “më të ashpra ndonjëherë” kundër Iranit, në një veprim që tanimë ka nxitur protesta masive në shtetin e pasur me rezerva të naftës.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i ka rikthyer në fuqi të gjitha sanksionet e hequra në kuadër të marrëveshjes bërthamore të 2015-s midis Iranit dhe fuqive perëndimore, duke i marrë kësisoj në shënjestër si Iranin po ashtu edhe shtetet që bëjnë tregti me të. ShBA-ja ka goditur eksportet e naftës, sektorin e anijeve dhe atë bankar – që të gjitha këto sfera esenciale të ekonomisë iraniane, transmeton Koha.net.
Me mijëra iranianë, duke bërtitur “Vdekje Amerikës”, protestuan të dielën, duke i hedhur poshtë thirrjet për bisedime. Presidenti iranian, Hassan Rouhani, u zotua të shesë naftë dhe t’i sfidojë sanksionet. Ushtria po ashtu ka njoftuar se do të mbajë ushtrime ajrore të hënën dhe të martën, për t’i dëshmuar shkathtësitë e shtetit. Demonstratat u mbajtën në shënimin e 39-vjetorit të okupimit të ambasadës amerikane në Teheran, gjë kjo që hapi rrugën për armiqësi të dyanshme më se katërdekadëshe.
Para se të niset në një xhiro fushate në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në ShBA, presidenti Trump tha se Irani veç është duke vuajtur goxha shumë në kuadër të politikave të administratës së tij. Ai me këtë rast i quajti sanksionet “tepër të serta”, duke thënë: “Do të shohim se çfarë do të ndodhë me Iranin, por ata nuk janë duke kaluar fort mirë, këtë gjë mund t’jua them”.