Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë kreativitet dhe fleksibilitet kur është fjala për rolin dhe kompetencat që duhet t’i ketë Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe. Vetëm dy ditë para përfundimit të afatit për draftimin e Statutit të Asociacionit/Bashkësisë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë i ka ofruar mbështetje Ekipit Menaxhues, i mandatuar për ta finalizuar dokumentin, shkruan sot Koha Ditore.
“Shtetet e Bashkuara fuqimisht mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Natyrisht se BE-ja i ka të gjitha hollësirat për këtë proces, por duket sikurse të gjithë kanë punuar shumë që të përmbushin marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS) të dalë nga dialogu, sidomos përkitazi me periudhën e përpilimit të Statutit gjersa i afrohemi 4 gushtit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane. Më tej shkruan se Qeveria e Kosovës bëri një hap të madh dhe shumë të mirëseardhur kur e lansoi procesin në prillin e këtij viti.
“Serbët e Kosovës, që janë pjesë e Ekipit Menaxhues për AKS-në – e të cilët janë faktikisht përgjegjës për përpilimin e draftit të parë të statutit – kanë punuar zellshëm në këta katër muajt e fundit. Hapi i ardhshëm sipas Marrëveshjes së dialogut të Brukselit është që komitetet zbatuese të të dyja palëve të gjejnë një kohë për t’u takuar mes vete në Bruksel për të shqyrtuar dhe diskutuar draftin e Statutit. Ne shpresojmë se të gjithë vrojtuesit do të lejojnë që proceset të vazhdojnë të zhvillohen ndërgjegjshëm dhe deri në fund me kalimin e kohës, ashtu siç është e paraparë me marrëveshje”, kanë thënë në Ambasadën Amerikane..