Pentagoni i ka publikuar pamjet e sulmit me dron nga forcat amerikane në Kabul të Afganistanit, nga i cili u vranë dhjetë civilë në orët e fundit të tërheqjes kaotike të ShBA-së nga shteti i rrënuar nga lufta.
Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, e siguroi videon përmes padisë në bazë të Aktit për Lirinë e Informimit kundër Komandës Qendrore të ShBA-së, e cila i publikoi pamjet në uebfaqen e vet.
Kjo është hera e parë që publikohen pamjet e sulmit me dron, të cilin Pentagoni fillimisht e kishte mbrojtur, por më vonë e quajti gabim tragjik. Sulmi kishte ndodhi më 29 gusht të vitit të kaluar, shkruan The Guardian.
E përditshmja amerikane tha se sulmi është kryer nga dy dronë të modelit “MQ-9 Reaper”. Në pamje shihen persona që janë duke lëvizur në zonën e sulmit dhe përreth saj.
Sipas një hetimi që Pentagoni e zhvilloi vitin e kaluar, sulmi në Kabul u cilësua “gabim i sinqertë”, por nuk u rekomanduan masa disiplinore ose ligjore kundër autorëve të sulmit. Ky rekomandim nxiti reagime të shumta nga Kongresi dhe grupet për të drejtat e njeriut.
Në mesin e viktimave të sulmit ishin Zemari Ahmadi, i cili punonte për një organizatë amerikane të ndihmave, dhe nëntë anëtarë të familjes së tij, përfshirë shtatë fëmijë.